INU vijon aksionin për prishjen e shtesave dhe lirimin e hapësirave publike
Një shtesë shtëpie dhe një biznes ku me akivitetin e tij ka zënë trotuarin janë shembur nga INU. Aksionet përfshinë zonën e Sanatoriumit dhe në Zogun e Zi në kryeqytet. Kreu i INU, Florenc Hoxha, tha se qytetarët kanë denoncuar në websaitin e vënë nga bashkia e Tiranës dhe nga këtu nisi verifikimi i dokumentacioneve për pajisjen me leje të subjektit. Në rast se konstatohet se është një objekt pa leje INU e kthen atë në gjendje fillestare.
Dua të falënderoj qytetarët e Tiranës të cilët kanë bërë të mundur në bazë të denoncimeve të tyre në portalin Rregulloj qytetin tim, në web-site e Bashkisë së Tiranës, denoncimin e të gjithë ndërtimeve pa leje. Ky portal ka funksionuar prej më shumë se një viti dhe së fundmi kanë ardhur me dhjetëra denoncime lidhur me ndërtimet pa leje. Nga ana jonë është bërë i mundur identifikimi i të gjithë ndërtimeve pa leje në territorin e Bashkisë së Tiranës dhe po ndërmarrim të gjithë hapat ligjorë. Janë identifikuar edhe ato objekte të cilat janë vetëdeklaruar pranë zyrave qendrore të ALUIZNI-t dhe degëve të tjera. – deklaroi Hoxha.
Z.Hoxha ka ndjekur nga afër edhe aksionin në zonën e Zogut të Zi, ku biznesi kishte zënë trotuarin ku, në një tendë të improvizuar kishte vendosur tavolinë. Në fakt, kjo zonë është mjaft problematike ku të gjitha biznese janë zhvendosur disa metra nga kufiri i tyre.

Ne po vijojmë aksionin tonë. Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik po vijon me aksionin, duke iu përgjigjur thirrjes së qytetarëve, thirrje apo më mirë ankesa të drejtuara në web-site e Bashkisë së Tiranës Rregulloj qytetin tim por dhe në numrat e telefonit të vëna në dispozicion. Menjëherë pas marrjes së ankesave nga ana e qytetarëve, ne po ndërhyjmë për të çuar në gjendjen e mëparshme këtë zonë e cila është zaptuar nga këto ndërtime pa leje. Gjithashtu, u bëj thirrje qytetarëve që në atë portal, të vazhdojnë me denoncimet që kanë lidhje me ndërtimet pa leje dhe çdo ankesë tjetër që kanë, pasi nga ana jonë do të merren masa të menjëhershme, për tu shërbyer atyre dhe për të kthyer çdo ndërtim pa leje në gjendjen e mëparshme – u shpreh Hoxha.
Hoxha thotë se askush nuk hedh para kot për një ndërtim informal që heret a vonë do të preket nga ligji, ndërsa i inkurajon qytetarët të denoncojnë në websaitin e bashkisë së Tiranës në rubrikën “Rregulloj qytetin tim” në rast se shohin se fqinji i tyre bënë një ndërtim pa leje, shkakton ndotje mjedisore apo akustike.