IPARD, 29.1 milionë euro për bujqit shqiptarë

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural e Shqipërisë njoftoi thirrjen III për dorëzimin e aplikimeve në kuadër të programit IPARD me qëllim të zhvillimit të Sektorit Agroushqimor.
Sipas drejtoreshës Frida Krifca thirrja III për aplikime është e hapur për të gjithë personat në fushat e prodhimit bujqësor ose të agro-përpunimit dhe rural.
Ato synjnë investimet në asete fizike në fermat bujqësore në sektorët e prodhimit të qumështit, mishit, fruta-perimeve dhe vreshtave, si dhe investime në asete fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit.
Objektivat e masave të Programit IPARD II kontribuojnë për mbështetjen e investimeve në sektorin agroushqimor. Ato synojnë përmirësimin e konkurrencës, pajtueshmërinë me standardet e BE-së dhe ruajtjen e natyrës dhe mjedisit, mbështetjen e investimeve në zonat rurale me qëllim diversifikimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e biznesit, duke çuar në përmirësimin e mundësive të punësimit dhe përfshirjes sociale.
“Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të kësaj thirrje është 29.1 milionë euro nga të cilat 75% ose 21.82 milionë euro kontribut i BE dhe 25% ose 7.28 milionë euro kontribut i buxhetit të shtetit”, tha Krifca.
Një aplikant mund të përfitojë më shumë se një projekt investimi, por totali i kostove të pranueshme të investimeve për aplikant, për këtë masë, nuk duhet ta kalojë vlerën prej 1 500 000 euro për të gjithë kohëzgjatjen e periudhës së programit.
Dorëzimi i aplikimeve, tha Krifca, fillon nga data 10 dhjetor 2020 deri në datën 25 janar 2021.