IRAN – Dy gjyqtarë qëllohen për vdekje në gjykatën supreme të Teheranit

TEHERAN, 18 janar /ATSH-AFP/- Dy gjyqtarë u vranë sot gjatë një sulmi me armë në ndërtesën e Gjykatës së Lartë në Teheran, njoftoi media shtetërore iraniane.
“Sot në mëngjes, një person i armatosur hyri në Gjykatën e Lartë në një akt të planifikuar – duke vrarë dy gjyqtarë të guximshëm dhe me përvojë”, njoftoi agjencia iraniane e lajmeve “Mizan”.
Sipas njoftimit, sulmuesi vrau veten pas aktit terrorist.
Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA raportoi gjithashtu se një person tjetër u plagos gjatë sulmit.
“Mizan” identifikoi dy gjyqtarët e vrarë, Ali Razini dhe Mohammad Moghisseh, duke shtuar se ata merreshin me çeshtjet e luftimit të krimeve kundër sigurisë kombëtare, spiunazhit dhe terrorizmit.
Zëdhënësi i gjyqësorit, Asghar Jahangir tha për televizionin shtetëror se një person i armatosur kishte hyrë në dhomën e dy gjyqtarëve dhe i kishte qëlluar ata.
Motivi i vrasjes së tyre nuk dihet ende, por “Mizan” tha se sulmuesi nuk ishte i përfshirë në asnjë çështje në Gjykatën e Lartë, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi identitetin e sulmuesit. //a.i/