IRAN – Nobelistja e Paqes, Mohammadi, dënohet me gjashtë vjet burg

TEHERAN, 8 shkurt /ATSH-ANSA/ – Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen, Narges Mohammadi, është dënuar me gjashtë vjet burg në Iran, njoftoi avokati i saj.
Sipas avokatit të saj, Mostafa Nili, sapo kanë mbërritur dy dënime të reja, me dënime jokumulative me burgim prej gjashtë dhe një viti e gjysmë respektivisht, me akuza për konspiracion dhe propagandë.
Vendimet e fundit kundër Çmimit Nobel për Paqen 2023 e përkeqësojnë më tej një situatë tashmë të rëndë.
Sipas fondacionit ”Narges”, i cili mbështet lëvizjen e saj për të drejtat civile, Mohammadi tani përballet me një dënim total prej 44 vitesh burg, pasi ka vuajtur 17 vite burg.
Për më tepër, edhe nëse ajo do të lirohej, asaj tani do t’i ndalohej të largohej nga vendi dhe do t’i kërkohej të banonte për dy vjet në Khusf, një qytet i largët në Khorasanin jugor.
Në të ardhmen e afërt, mbështetësit e saj janë gjithashtu të shqetësuar për shëndetin e saj, i cili është përkeqësuar nga greva e urisë gjashtëditore, tashmë e ndërprerë, të cilën ajo e filloi më 2 shkurt kundër paraburgimit të saj “të paligjshëm”.
“Ajo u shtrua në spital për tre ditë, por më pas u kthye në burg”, tha avokati i saj pas një telefonate “të shkurtër”, duke shprehur shpresën e tij se ajo do të lirohej “me kusht”./ /os/