IRLANDË – Harris: Sulmet me pajisje shpërthyese në Liban krejtësisht të neveritshme

DUBLIN, 19 shtator /ATSH-DPA/- Sulmet me pajisje shpërthyese në Liban janë tërësisht të neveritshme dhe jashtëzakonisht të rrezikshme, tha sot kryeministri i Irlandës, Simon Harris.
Harris tha se siguria e trupave irlandeze të vendosura aktualisht në vend në misionet e OKB-së mbeten një “prioritet absolut” për qeverinë.
“Ka rregulla bazë rreth angazhimit, madje edhe në konflikt, dhe në thelb është ideja që ju të mos dërgoni pajisje shpërthyese midis popullatës civile”, tha ai.
“Të shikosh ndikimin që ka pasur tek popullata civile, tek fëmijët, tek njerëzit e pafajshëm që vazhdojnë jetën e tyre, është krejtësisht e neveritshme dhe jashtëzakonisht e rrezikshme në një kohë – kur pjesa tjetër e botës po përpiqet të shmangë përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme”, tha Harris.
Harris do të udhëtojë në Nju Jork javën e ardhshme për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, për të cilën ai tha se ishte një mundësi për t’u përpjekur për të arritur një armëpushim në Lindjen e Mesme.
Në lidhje me trupat irlandeze, Harris tha se ata po vazhdojnë të monitorojnë situatën me shumë kujdes, shumë nga afër.
“Siguria e trupave tona paqeruajtëse, të cilët bëjnë shërbime të jashtëzakonshme në terren, është gjithmonë parësore në mendjet tona”, tha kryeministri irlandez. //a.i/