ISHP: Mos konsumoni ujin e depozitave, rrezik për shëndetin
Tiranë- Instituti i Shëndetit Publik i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë të kujdesshëm me përdorimin e ujit që vjen në çezmë direkt nga depozita.
Sipas tyre, depozitat e ujit që gjenden në tarracat e pallateve, nëpër ballkone apo depozitat qindratonëshe në katet e para të pallateve të reja, përbëjnë shqetësim për jetën e qytetareve.
Specialistët e ISHP-së apelojnë se rreziku që kanoset nga konsumimi i ujit të depozitave është tejet i lartë. Ata rekomandojnë glorifikimin e shpeshtë të tyre, të paktën një herë në muaj, pasi ato përmbajnë baktere dhe lëndë të rrezikshme, e duke qenë se jo gjithmonë zbrazen plotësisht, lënë në fund ujë të ndotur dhe mikrobe.
Depozitat në tarracat e pallateve qëndrojnë me vite të papastruara nga qytetarët. Duke u bërë një rrezik serioz për shëndetin e tyre.
Sipas përfaqësuesve të Drejtorisë së Higjienës, më alarmante paraqitet situata në pallatet e reja, që janë ngritur kohët e fundit. Apeli që vjen nga specialistët është pastrimi i sistemit të brendshëm të tubacioneve të ujit, zbrazja dhe rimbushja e depozitave të paktën një herë në katër muaj si dhe klorifikimi i tyre minimalisht një herë në muaj.