ISSH: Nis ndarja e shpërblimit për pensionistët, ja oraret e tërheqjes
Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) njofton të gjithë pensionistët se shuma prej 2 mijë lekësh e vendosur nga qeveria për shpërblimin për festat e fundvitit mund të tërhiqet në sportelet e postës, duke nisur nga dita e sotme e deri më datën 31 dhjetor.
ISSH-ja ka hartuar një grafik, i cili do të mundësojë shpërndarjen pa probleme të tij deri në fund të dhjetorit.
Sipas një grafiku të përcaktuar nga ISSH, pensionistët do të marrin nga ora 08:00 deri në orën 14:00 pensionin në datën e caktuar, si dhe shpërblimin përkatës, ndërkohë që pas orës 14:00 e deri në orën 20:00, do të jepet shpërblimi për ata pensionistë që u ka kaluar data e tërheqjes së pensionit.
Kështu, sipas grafikut të ISSH-së, sot do ta marrin pensionin personat që kanë datën e tërheqjes së pensionit, ndërsa pas orës 14:00 do të marrin shpërblimin pensionistët që e kanë marrë pensionin në datën 1, 2, 3 dhe 4 dhjetor.
-Në datën 22 dhjetor do ta marrin datat 5, 6 dhe 7 dhjetor
-Në datën 23 dhjetor do ta marrin datat 8, 9, 10, 11dhe 12 dhjetor
-Në datën 24 dhjetor do ta marrin datat 13, 14, 15, 16 dhe 17 dhjetor
-Në datën 25 dhjetor do ta marrin datat 18, 19 dhe 20 dhjetor
-Nga data 26.12.2012 dhe deri më datë 31.12.2012 ora 12.00 do paguhen njëkohësisht pensionet dhe shpërblimet e atyre datave si dhe rastet e të gjithë atyre personave që nuk kanë mundur të paguhen në datën e përcaktuar.
Ndërkohë për të gjithë ata pensionistë që nuk kanë mundësi ta tërheqin pensionin sipas këtij grafiku, mund ta bëjnë këtë edhe pas datës 31 dhjetor.
21 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)
ISSH: Nis ndarja e shpërblimit për pensionistët, ja oraret e tërheqjes burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP