ISSH miraton tavanet buxhetore, rritje prej 11,7 miliardë lekësh për 2026-ën

Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) miratoi sot tavanet buxhetore për projektbuxhetin afatmesëm 2026–2028, duke vendosur kufirin maksimal të shpenzimeve për pensionet dhe sigurimet shoqërore në këtë periudhë.
Në mbledhjen e radhës, Këshilli analizoi treguesit financiarë dhe përcaktoi objektivat kryesore që do të udhëheqin veprimtarinë e ISSH-së në tre vitet e ardhshme, në funksion të përmbushjes së misionit institucional dhe zbatimit të politikave të qeverisë për këtë sektor.
Në një reagim në Facebook, drejtori i përgjithshëm i ISSH-së, Astrit Hado, deklaroi se vendimmarrja u bë në funksion të përmbushjes së misionit të institutit dhe zbatimit të politikave të qeverisë në fushën e sigurimeve shoqërore, veçanërisht pensioneve.
Sipas tij, ky projektbuxhet synon të garantojë qëndrueshmërinë e skemës së sigurimeve shoqërore dhe përmirësimin e mbulimit me përfitime për shtresat në nevojë, duke përfshirë pensionistët dhe përfituesit e tjerë të skemës.
“Për vitin 2026, tavani buxhetor i miratuar është 204 miliardë lekë, që përfaqëson një rritje prej 11.7 miliardë lekësh në krahasim me programimin për vitin 2025. Kjo rritje pasqyron përpjekjet për të përmbushur kërkesat në rritje për pensione dhe përfitime të tjera sociale.”- shkrun Hodo.
/rtsh.al/