ITALI – Kriza e strehimit godet studentët, mbi 2 000 mbeten pa konvikte vetëm në Bolonjë

BOLONJË, 13 tetor /ATSH/ – Studentët në Bolonjë kanë ngritur çadra në sheshin Scaravilli, në kuadër të një proteste kundër rritjes së kostos së jetesës duke kërkuar garantimin e së drejtës për arsim dhe mundësi më të mira për të ardhmen, shkruan ilrestodelcarlino.it
Protesta organizohet nga Rrjeti Universitar – Udu dhe është pjesë e një mobilizimi kombëtar studentor, me qendër kryesore në Montecitorio, në Romë, dhe aktivitete në universitete të ndryshme në Itali.
Studentët u mblodhën sot në mëngjes dhe kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë në shesh për një periudhë të pacaktuar, me gjasë deri në nisjen drejt Romës për protestën e planifikuar të shtunën.
“Ne ngritëm çadrat për të denoncuar faktin se jeta kushton shumë”, deklarojnë përfaqësuesit e Udu, duke theksuar se në Bolonjë, ashtu si në qytete të tjera, por veçanërisht në këtë qytet, e drejta themelore për arsim po shndërrohet në një privilegj për pak njerëz.
Sipas tyre, kostot e tregut privat të banesave janë bërë të papërballueshme për studentët. Një dhomë teke në Bolonjë kushton mesatarisht 585 euro në muaj, ndërsa numri i vendeve të disponueshme në konvikte mbetet shumë i pamjaftueshëm.
Gjatë ditës së parë të protestës, studentët shpërndanë fletëpalosje dhe përgatitën banderola për demonstratën e së shtunës.
Pasdite u zhvillua edhe një asamble publike, ku morën pjesë studentë dhe përfaqësues të sindikatës së qiramarrësve Sunia-CGIL. Aktivitetet pritet të vijojnë edhe sot.
Mbi 2 mijë studentë mbeten pa strehim
Studentët e kanë zgjeruar debatin edhe në nivel kombëtar, por theksi mbetet te vështirësitë konkrete në Bolonjë.
Sipas Rrjetit Universitar, më shumë se 2 mijë persona që kanë aplikuar për strehim përmes institucionit rajonal Er.Go kanë mbetur pa përfituar një vend.
Përfaqësuesit studentorë e cilësojnë situatën si pasojë të një tregu spekulativ, i cili nuk garanton të drejtën e barabartë për arsim.
Ata theksojnë se shpenzimet e studentëve nuk kufizohen vetëm te qiratë, por përfshijnë gjithashtu faturat e energjisë, transportin dhe ushqimet.
“Sot një student duhet të zgjedhë nëse do të blejë vaj apo një libër për të dhënë provimin”, shprehen përfaqësuesit e Rrjetit Universitar, duke e cilësuar situatën të papërballueshme.
Kërkojnë 2 miliardë euro për universitetet
Studentët kërkojnë investime strukturore dhe afatgjata për arsimin e lartë dhe garantimin e së drejtës për studim.
Ndër propozimet e tyre është një fond prej 2 miliardë eurosh në nivel kombëtar, me synimin për ta bërë universitetin falas për të gjithë dhe për të garantuar mbulimin e plotë të bursave për të gjithë studentët që plotësojnë kriteret për përfitimin e tyre.
Sipas të dhënave të paraqitura nga organizatorët, në rajonin Emilia-Romagna janë 38.198 studentë që plotësojnë kushtet për përfitimin e bursave.
“Ne duam t’i tregojmë klasës politike se, nëse zgjidhja e saj është braktisja e së drejtës për arsim dhe kalimi i pasurisë publike te privatët, ne nuk jemi dakord”, theksojnë studentët.
Protesta pritet të vijojë në ditët në vijim, ndërsa studentët synojnë që kërkesat e tyre për strehim të përballueshëm, bursa të plota dhe akses të barabartë në universitet të marrin përgjigje konkrete nga institucionet. /os/