E Diel, 1 Nëntor 2026

ITALI – Presidenti i Bienales së Venecias: Vendimi i BE-së për heqjen e financimit është politik, jokulturor

ROMË, 23 korrik /ATSH/- Presidenti i Fondacionit të Bienales së Venecias, Pietrangelo Buttafuoco, kritikoi vendimin e Bashkimit Evropian për t’i hequr institucionit një financim prej 2 milionë eurosh, duke e cilësuar atë si një veprim politik dhe jokulturor apo ligjor, sipas “Reuters”.

Vendimi i BE-së erdhi pasi Rusia u rikthye këtë vit në ekspozitën e artit të Bienales së Venecias, për herë të parë që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022.

Brukseli argumentoi se fondet e taksapaguesve evropianë, nuk duhet të mbështesin aktivitete që, sipas tij, nuk përputhen me vlerat e demokracisë dhe lirisë.

Bienalja e kundërshtoi këtë qëndrim, duke thënë se arti duhet të mbetet një hapësirë neutrale për dialog dhe shkëmbim idesh, pavarësisht konflikteve politike.

Buttafuoco deklaroi se nëse Bienalja do t’u nënshtrohej presioneve politike për të përjashtuar Rusinë, kjo do të dëmtonte pavarësinë, lirinë e shprehjes dhe rolin ndërkombëtar të institucionit, i cili prej 131 vitesh promovon kërkimin dhe krijimtarinë artistike.

Ai tha se BE-ja ishte një partner me të cilin është ndarë një pjesë të rrugëtimit, por që tani po largohet për arsye krejtësisht politike.

Bienalja njoftoi gjithashtu se do ta kundërshtojë vendimin e BE-së, megjithëse theksoi se humbja e këtij financimi nuk do të ketë ndikim të madh financiar mbi aktivitetet e saj. //a.i/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›