IZRAEL – Gjykata Supreme rrëzon ndalimin e partive arabe në zgjedhje

TEL AVIV, 2 tetor /ATSH – DPA/ – Gjykata Supreme e Izraelit vendosi të premten se partitë arabe mund të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 27 tetorit, duke rrëzuar vendimin e Komitetit Qendror të Zgjedhjeve për t’i përjashtuar nga gara.
Gjykata argumentoi se vendimi i komitetit nuk përmbushte kërkesat ligjore për ndalimin e pjesëmarrjes së partive në zgjedhje.
Në fund të shtatorit, Komiteti Qendror i Zgjedhjeve votoi 18 pro dhe 5 kundër për përjashtimin e partisë islamiste konservatore Raam, të drejtuar nga Mansour Abbas, si dhe të listës së përbashkët zgjedhore Hadash, Taal dhe Balad.
Nga gara ishin përjashtuar edhe disa kandidatë individualë.
Kërkesat për ndalimin e partive u mbështetën në akuza se ato kishin shprehur mbështetje për luftën e armatosur kundër Izraelit. Partitë i kundërshtuan akuzat dhe e cilësuan vendimin si “politik, racist dhe antidemokratik”.
Ndërkohë, Komiteti Qendror i Zgjedhjeve nuk votoi për ndalimin e pjesëmarrjes së partisë së djathtë Otzma Yehudit, të drejtuar nga ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir.
Sipas sondazheve të opinionit, as kampi i kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe as ai i kundërshtarëve të tij nuk duket se mund të sigurojë shumicën absolute në zgjedhjet e 27 tetorit.
Në këtë situatë, partia Raam mund të ketë një rol të rëndësishëm në formimin e shumicës parlamentare. /os/