E Diel, 1 Nëntor 2026

IZRAEL – Herzog: Dhuna e kolonëve kundër palestinezëve duhet të marrë fund

TEL AVIV, 12 nëntor /ATSH/- Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog dhe zyrtarët e lartë ushtarakë dënuan sot sulmet e një dite më parë nga kolonët hebrenj kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund valës në rritje të dhunës së kolonëve në territorin e pushtuar, sipas AP.

Presidenti Herzog i përshkroi sulmet si “tronditëse dhe serioze” – duke shërbyer si një zë i fuqishëm ndaj reagimeve të heshtura të zyrtarëve të lartë izraelitë ndaj dhunës së kolonëve.

Qëndrimi i Herzog, ndonëse kryesisht ceremonial, synon të shërbejë si një busull morale dhe forcë bashkuese për vendin.

Herzog tha se dhuna e kryer nga një “grusht” autorësh e kishte “kaluar vijën e kuqe”.

“Të gjitha autoritetet shtetërore duhet të veprojnë me vendosmëri për të zhdukur fenomenin”, tha ai në media sociale.

Deklarata e tij, dhe të dy zyrtarëve të lartë ushtarakë, erdhën pasi dhjetëra kolonë izraelitë të maskuar sulmuan dje fshatrat palestineze, Beit Lid dhe Deir Sharaf në Bregun Perëndimor, duke i vënë zjarrin automjeteve dhe pronave të tjera përpara se të përlesheshin me ushtarët izraelitë.

Gjithashtu, Izraeli rihapi sot një pikë kalimi në Rripin verior të Gazës që kishte qenë i mbyllur për dy muaj.

Lëvizja u mirëprit nga zyrtarët në Kombet e Bashkuara, të cilët thonë se Izraeli ka qenë shumë i ngadaltë në rritjen e ndihmës humanitare në territor – që nga fillimi i armëpushimit muajin e kaluar.

Ndihma është dërguar në Gaza që nga 10 tetori përmes dy pikëkalimeve në Gazën jugore dhe qendrore. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›