E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

IZRAEL – Katz: Evakuimet do të fillojnë së shpejti nga zonat e luftimit të Gazës

TEL AVIV, 19 mars /ATSH-DPA/- Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz tha sot se evakuimi i njerëzve nga zonat e luftimit në Rripin e Gazës do të niste së shpejti ndërsa i kërkoi popullatës të largonte Hamasin.

Në një video, Katz tha se sulmet ajrore ndaj objektivave të Hamasit ishin vetëm hapi i parë dhe paralajmëroi se ajo që do të vinte më pas do të ishte shumë më e keqe, pa dhënë detaje.

“Kthejini pengjet dhe largoni Hamasin”, tha ministri i Mbrojtjes, Katz duke shtuar se kjo do t’u ofronte banorëve të Gazës mundësi të reja migrimi në vende të tjera.

“Alternativa është shkatërrimi total”, tha ai, duke u zotuar se Izraeli do të vepronte me një forcë që njerëzit në Rripin e Gazës nuk e kishin parë kurrë më parë.

Kohët e fundit, ka pasur paralajmërime, duke përfshirë edhe Gjermaninë, duke i kërkuar Izraelit të mos ndëshkonte kolektivisht popullsinë civile për veprimet e Hamasit.

Për herë të parë që nga fillimi i armëpushimit rreth dy muaj më parë, forcat ajrore izraelite bombarduan dje gjerësisht objektivat e Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez (PIJ) në Rripin e Gazës.

Sipas ushtrisë, trupat tokësore gjithashtu janë dislokuar sërish. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›