Ibrahimaj: Buxheti 2026 garanton rritje progresive të pensioneve dhe pagave

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, së bashku me drejtuesen politike të Qarkut Tiranë, Ogerta Manastirliu, përfaqësues të Bashkisë së Tiranës dhe deputetë të zonës, zhvilluan një takim me banorët e Njësisë nr. 1 në kryeqytet, në kuadër të konsultimeve publike për buxhetin e vitit 2026.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj theksoi se buxheti i ri do të fokusohet tek rritja e pensioneve urbane dhe rurale, duke parashikuar një fond prej 1,7 miliardë lekësh dhe rreth 50 milionë euro për indeksimin e tyre.
Ajo sqaroi se qeveria do të vijojë me bonuset mujore për pensionistët, të cilat do të shpërndahen nga 1 dhjetori 2025, në të njëjtat nivele si vitin e kaluar, pensionistët me pension deri në 200 mijë lekë do të marrin 150 mijë lekë bonus, ndërsa ata me pension mbi 200 mijë lekë do të marrin 100 mijë lekë bonus.
Nga 1 janari 2026, buxheti parashikon rritje progresive të pensioneve, ku pensioni urban mesatar me vite të plota pune do të arrijë 40 mijë lekë, ai me vite të pjesshme do të rritet në 22 mijë lekë, ndërsa pensioni rural dhe familjar do të shkojë në 18 mijë lekë.
Pensionet për invalidët do të rriten gradualisht deri në 300 mijë lekë deri në vitin 2029, duke u shtuar indeksimet vjetore të parashikuara në buxhet.
Ibrahimaj njoftoi gjithashtu se nga viti 2026 paga minimale do të rritet në 500 euro, duke përfshirë rreth 300 mijë punonjës.
“Qeveria do të vijojë gjithashtu me bonuset mujore për pensionistët, të cilat do të shpërndahen nga 1 dhjetori 2025, në të njëjtat nivele si vitin e kaluar: Pensionistët me pension deri 200 mijë lekë do të marrin 150 mijë lekë bonus. Pensionistët me pension mbi 200 mijë lekë do të marrin 100 mijë lekë bonus”, u shpreh ministrja.
Përveç kësaj, janë parashikuar rritje pagash për punonjësit e shëndetësisë, policisë dhe ushtrisë në kategori të caktuara, si dhe indeksimi i pagave në administratën publike çdo dy vite, për të ruajtur fuqinë blerëse të qytetarëve.
Ministrja theksoi se brenda mandatit, paga minimale pritet të arrijë në 600 euro në vitin 2028 dhe 700 euro në vitin 2030, duke garantuar një përmirësim të qëndrueshëm të standardit të jetesës.
Ky takim, i zhvilluar në prani të Manastirliut dhe Ibrahimajt, u konsiderua një hap i rëndësishëm në procesin e konsultimeve publike, duke i dhënë qytetarëve mundësinë të njihen nga afër me prioritetet e buxhetit të vitit 2026 dhe me masat konkrete që synojnë përmirësimin e jetës sociale dhe ekonomike në vend.
/rtsh.al/