E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Në shtator programe të reja strehimi për familjet e reja, profesionistët dhe shtresat në nevojë

TIRANË, 30 gusht/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se qeveria po punon për programe të reja në fushën e strehimit social, me fokus familjet e reja, profesionistët dhe shtresat në nevojë.

Përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, Ibrahimaj tha se është hapur thirrja për 300 kuota me kredi me 0% interes për punonjës të administratës publike, përfshirë ata të Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, shëndetësisë, arsimit dhe Policisë së Burgjeve.

“Interesi sigurisht për programet e strehimit është shumë i lartë, pasi siguria e shtëpisë është siguria e jetesës dhe për të ardhmen”, u shpreh ministrja.

Ajo theksoi se ndër vite janë ndërmarrë një sërë masash për mbështetjen e familjeve të reja dhe familjeve në nevojë.

Sipas Ibrahimajt, rreth 2 500 apartamente janë dhënë me kredi me 3% interes në 32 bashki, krahas programeve të tjera për subvencionimin e qirasë.

“Duke qenë të ndërgjegjshëm se shtëpia është një nga elementët kryesorë të jetesës së qytetarëve tanë, ne jemi duke punuar fort për të ndërtuar disa programe me qëllim adresimin e nevojës për strehim për familjet e reja, për profesionistët apo për shtresat në nevojë”, tha Ibrahimaj.

Ministrja bëri të ditur se në shtator do të bëhen publike programet e reja të strehimit, të cilat synojnë të krijojnë më shumë mundësi për qytetarët që kanë nevojë për mbështetje për të siguruar banesën e tyre.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›