Ibrahimaj: U sulmuan 15 filiale bankash, depozitat janë të sigurta!

Mbi 15 filiale bankash janë dëmtuar gjatë protestave të dhunshme në Tiranë, ndërsa ministrja Delina Ibrahimaj garanton se depozitat e qytetarëve janë të sigurta. Prej tri ditësh, qindra biznese mbajnë qepenët ulur nga frika e plaçkitjeve dhe shkatërrimeve.
Mbi 15 filiale bankash janë dëmtuar nga aktet e dhunës gjatë ditëve të fundit të protestave në Tiranë. Shifrën e bëri publike ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila siguroi qytetarët se depozitat e tyre nuk janë prekur dhe se sistemi bankar në vend është i qëndrueshëm. Sipas saj, sulmet kanë goditur pikërisht ambientet ku qytetarët marrin pagat, kryejnë transaksione dhe përmbushin detyrimet e përditshme.
Për të paktën të tretën ditë radhazi, një numër shumë i madh biznesesh në Tiranë, sidomos të përqendruara në Rrugën e Durrësit apo rreth qendrës, kanë ulur qepenët dhe janë kyçur. Të frikësuar se mund të shkatërrohen, digjen dhe plaçkiten, i vetmi shënim që kanë lënë në dyert e tyre apo qepenët metalikë është: “Ju lutem, mos na dëmtoni!”