E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj në shkollën profesionale “Mihal Shahini” në Cërrik: 60% e të diplomuarve gjejnë punë

TIRANË, 31 gusht/ATSH/ Arsimi profesional po tërheq gjithnjë e më shumë të rinj sepse bashkon mësimin me praktikën, teknologjinë dhe tregun e punës.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj ishte sot në shkollën profesionale “Mihal Shahini” në Cërrik, ku të rinjtë që zgjedhin bujqësinë dhe veterinarinë mësojnë në laboratorë, serra, përdorin teknologji të reja dhe njohuritë e marra në shkollë i zhvillojnë më tej përmes praktikës në biznes.

Sipas ministres Ibrahimaj rezultati është konkret, pasi mbi 60% e të diplomuarve gjejnë një vend pune, ndërsa të tjerë zgjedhin të vijojnë studimet në universitet.

“Arsimi profesional po rritet dhe ka një arsye për këtë, sepse shkolla profesionale nuk është vetëm bankë dhe libër. Shkolla profesionale është praktikë, është profesion, është lidhje direkte me teknologjinë dhe me tregun e punës. Këtu në shkollën profesionale ‘Mihal Shahini’ në Cërrik, nxënësit e bujqësisë dhe veterinarisë mësojnë në laborator, në serra dhe në tokë didaktike. Përdorin sensorë për analizën e tokës dhe teknologjitë të reja në realitet virtual. Ato që nxënësit mësojnë këtu e praktikojnë në biznes”, shtoi Ibrahimaj.

Sipas ministres, janë 30 biznese të cilat janë të ndërlidhura me shkollën, me të cilat nxënësit mësojnë, por edhe bizneset përfitojnë nga profesionistë që tashmë janë të edukuar dhe të trajnuar në fushën e tyre të përgjegjësisë.

“Mbi 60% e nxënësve që edukohen këtu në Cërrik gjejnë një vend pune menjëherë, ndërsa pjesa tjetër zgjedh të shkojë në universitet”, informoi Ibrahimaj.

Profilet bujqësore dhe veterinare, sipas saj, janë shumë interesante për të gjithë nxënësit.

“Ndaj dhe unë dua të nxis të gjithë prindërit të cilët janë të interesuar t’i japin fëmijës një profesion. Regjistrimet janë të hapura deri në datën 30 shtator. Dua t’ju nxis të bëni zgjedhjen e duhur për fëmijën tuaj pasi arsimi profesional është e ardhmja”, shtoi ajo.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se në total janë në fokus 17 konvikte të shkollave profesionale, nga të cilat 7 janë rikonstruktuar gjatë këtij viti, ndërsa 10 të tjera do të rikonstruktohen gjatë vitit të ardhshëm.

“Investimet në infrastrukturën e arsimit profesional po krijojnë mundësi më të mira për të rinjtë që dëshirojnë të mësojnë një profesion, duke bërë që distanca nga vendbanimi të mos jetë pengesë për ndjekjen e shkollës”, u shpreh Ibrahimaj.

Sipas ministres, investimet në këto struktura synojnë ta bëjnë arsimin profesional më të aksesueshëm dhe më tërheqës për të rinjtë, duke u ofruar kushte më të mira për të fituar aftësi dhe profesione të kërkuara nga tregu i punës.

Ibrahimaj theksoi se objektivi është që çdo i ri, pavarësisht vendit ku jeton, të ketë mundësinë të mësojë një profesion dhe të krijojë më shumë mundësi për punësim dhe integrim në tregun e punës.

Investimet në konvikte janë pjesë e përpjekjeve për forcimin e arsimit profesional dhe krijimin e kushteve më të mira për formimin e të rinjve, në përputhje me nevojat e tregut të punës.

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›