E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibrahimoviç përshëndetet me Mourinhon dhe kthehet në Evropë

Ekipi i Interit ka pohuar se sulmuesi Zlatan Ibrahimoviç sot është përshëndetur me Jose Mourinhon dhe bashkëlojtarët tjerë të Interit dhe është rikthyer në Evropë. Kampioni i Serie A ka pohuar në faqen e vet zyrtare se suedezi është ndarë nga ekipi dhe ka udhëtuar për në Evropë, sigurisht për të nënshkruar me Barcelonën dhe për t'iu bashkuar ekipit të ri. "Pas angazhimit në mëngjes në kampin stërvitor në Harwaurd, dhe drekës në hotel, para disa minutash, Zlatan Ibrahimoviç është përshëndetur me Jose Mourinhon dhe ekipin, pas të cilës ka udhëtuar për në Suedi", shkruhet në një publikim në faqen zyrtare të Interit. "Sulmuesi në marrëveshje me klubin e ka lënë turneun në SHBA dhe është rikthyer në Evropë pas negociatave për transferimin e tij", shtohet më tej në deklaratë.
Besohet se Ibrahimoviç ka arritur marrëveshje me Barcelonën dhe tani mbetet vetëm që lojtari të kalojë testet mjekësore dhe të nënshkruajë kontratën me klubin spanjoll, me të cilën do të zyrtarizohej transferimi i tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›