Identifikohet autori i dyshuar i vrasjes në Selenicë – Policia në kërkim të 36-vjeçarit që vrau kushëririn

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Gjorm, bashkia Selenicë në Vlorë, ku një 36-vjeçar nga Fieri, D. A., u gjet pa shenja jete me plagë të shkaktuara nga armë zjarri, autoritetet kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar.
Sipas informacioneve zyrtare, nga veprimet e para hetimore është identifikuar shtetasi B. A., i cili dyshohet se ka vrarë me armë zjarri kushëririn e tij, D. A., në qendër të fshatit Gjorm.
Menjëherë pas kryerjes së krimit, autori i dyshuar është larguar drejt zonës malore përreth, ku dyshohet se fshihet.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë po vijojnë punën intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ndërkohë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e motiveve që çuan në këtë krim të rëndë.
Autoritetet janë në terren dhe po punojnë për të siguruar prova të mëtejshme që do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.
/rtsh.al/