Igumenicë, sekuestrohen 650 drogë, pranga dy shqiptarëve

Droga e kapur në Igumenicë
IGUMENICE – Policia greke sekuestroi mëngjesin e djeshëm 650 kg marijuanë, në Plataria të Igumenicës, duke arrestuar dy shtetas grek dhe dy shqiptarë. Gjithçka nisi pas një kontrolli rutinë në plazhin Plataria ku agjentët e Antidrogës, zbuluan 15 çanta sportive të zeza. Zona u vu në vëzhgim, pas pak minutash mbërriti një automjet tip Ford Transporter, ngjyrë e bardhë, drejtuesi i të cilit nisi të ngarkojë çantat. Agjentët e Policisë ndërhynë dhe bënë të mundur kapjen e shoferit, një shtetas grek 33 vjeç, banues në Athinë. Pas dyshimeve se ai nuk po vepronte i vetëm dhe se droga ishte sjellë në rrugë detare, policia nisi një operacion të gjerë nga deti dhe toka. Brenda disa orëve, u arrit të kapej në afërsi të Kanalit të Korfuzit një varkë peshkimi, me drejtues një grek 58-vjeçar nga Sajadha e Igumenicës. Hetimet zbuluan se ai kishte sjellë drogën nga Saranda për në Plataria. Ndërkohë, në Krateri të Igumenicës u ndaluan dy mjete me targa greke, që nga hetimet rezultoi se shërbenin për kontrollin e zonës, me qëllim transportin e drogës. Policia arrestoi tre shtetas, një grek 35 vjeç nga Athina dhe dy shtetas shqiptarë, të moshës 26 dhe 34 vjeç. Sipas burimeve policore, 34-vjeçari është identifikuar si Gentian Çela, nga Saranda, ndërkohë që 26-vjeçari fillimisht ka dhënë gjeneralitetet Antonio Allias, nga Saranda. Por hetimet zbuluan emrin e vërtetë të tij, Idriz Çela, person i shpallur në kërkim. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Sarandës, Më 24 dhjetor 2010, me 7 vjet burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Nuk dihet se si mjeti lundrues është futur në brigjet shqiptare pa u pikasur nga radarët, megjithatë kjo nuk është hera e parë që nga Saranda kalon drogë për në Greqi në këtë formë. sh.d