Ilir Meta zgjidhet në krye të Kuvendit me 91 vota
Me 91 vota pro, 45 kundër dhe 1 abstenim, Ilir Meta është zgjedhur edhe zyrtarisht në krye të Kuvendit të Shqipërisë. Në votim kanë marrë pjesë 137 deputetë
Më 23 qershor shqiptarët votuan me një shpresë të madhe, për tu përmbushur nga ana jonë. Shqiptarët kanë treguar një besim të madh ndaj nesh.
Ku Kuvend duhet të plotësojë pritshmëritë e shqiptarëve.
Ai do të ketë përpara axhendën tonë europiane, sepse shqiptarët kërkojnë nga ne reformat ë thella për integrimin europian. Reforma që përmirësojnë jetën e tyre.
Ftesa ime e parë është lënia e frymës konfliktuale, pasi jemi këtu për të bërë më të mirën për popullin tonë.
Jam i bindur se ky Kuvend i ri do të ketë më shumë konstruktivitet, për shkak edhe të situatës jo shumë të mirë të gjendjes ekonomike.
Papunësia dhe varfëria duhet të jenë kundërshtarët tanë të përbashkët. Do siguroj zbatimin e rregullores së Kuvendit dhe të drejtat e deputetëve.
Interesat e vendit duhet të vihen para atyre partiake, u shpreh Meta pas zgjedhjes në krye të Kuvendit.
Fillimisht, në seancën e sotme u bë verifikimi i mandatave të deputetëve.
Më pas, deputetët e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit janë betuar. I vetmi që nuk e ka bërë këtë gjë ka qenë Vasili Bici, që nuk ka qenë prezent në seancë, duke qenë se e ka refuzuar mandatin. Bici do të zëvendësohet nga një tjetër demokrat, Mhill Fufi, që u bë personazh më 23 qershor pasi u plagos me armë gjatë përplasjes me një militant të LSI-së.