E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti dhe rishpirtërimi i Kushtetutës

Nga Ledian DROBONIKU

Metodologjia më e mirë për të trajtuar saktësisht çdo çështje është duke shtruar pyetjet e duhura. Ndërsa përgjithësisht rezulton e lehtë pyetja nëse është ende i domosdoshëm imuniteti përballë një situate dramatike të korrupsionit dhe lidhjes së krimit me pushtetin, aq e kuptueshme dhe lineare rrjedh dhe pyetja e dytë. Këtë betejë është më mirë ta udhëheqin njerëz të zgjedhur me konsensus apo militantë të eksituar pas një kahu politik?

Duke iu përgjigjur pyetjeve të mësipërme, udhëhequr nga një arsye sa e thjeshtë aq dhe e ftohtë, mund të jepen përgjigje dhe pyetjeve të tjera të aktualitetit politik shqiptar siç është lidhja e ngushtë mes heqjes së imunitetit dhe paanshmërisë së organeve të Drejtësisë. Është e kuptueshme se kufizimi i imunitetit shkon në drejtim të përforcimit të pozitës dhe aktivitetit së institucioneve të Drejtësisë duke ndezur reflektorët tashmë mbi terrenin deri tani të errët të politikës dhe pushteteve të ndryshme në Shqipëri. Ajo që nuk kuptohet është se përse ngurrohet të përforcohen këto institucione të Drejtësisë që në momentin e krijimit të tyre me konsensus të gjerë, larg influencave partiake, në terrenin e të cilave duhet të ndeshet nesër. Në fakt, si heqja e imunitetit dhe zgjedhja me konsensus e njerëzve të Drejtësisë synojnë të arrijnë të njëjtin objektiv, luftën ndaj devijimeve ligjore dhe krijimin e funksionarëve me integritet. Ndërsa heqja e imunitetit dhe frika ndaj ndëshkimit operojnë a posteriori, zgjidhja me konsensus sa më të gjerë dhe larg militantizmave veprojnë a priori, pra që në fillim të krijimit të nëpunësve shqiptarë me integritet dhe profesionalizëm.

Vetëm për ata që besojnë se neni 7 i Kushtetutës, mbi parimin e ndarjes së pushteteve, është thjesht një batutë, mund të pranohet paqësisht se i gjithë shteti mund të marrë ngjyrë rozë apo blu. Në fakt, jo vetëm Kushtetuta, por as dhe e drejta zakonore apo çdo kanun nuk pranon për gjyqtar një figurë të njëanshme, por kërkon atë më të ndershmin, më të urtin, më të paanshmin dhe të pranuar nga palët për zgjidhjen e çdo problemi. Ndërsa Kushtetuta kishte parashikuar si qëllimin ashtu dhe mekanizmin për pavarësinë e pushteteve, ky i dyti pëson një tronditje të thellë pas atij tjetër prilli të zi për rendin kushtetues shqiptar. I gjithë mekanizmi i balancimit të pushteteve ishte përqendruar në mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Zgjedhja e tij në mënyrë konsensuale, dukej sikur ofronte garancitë e mjaftueshme për ndërtimin e pjesës tjetër të Shtetit që duhet të rrijë larg orekseve të politikës së radhës. Por ai mekanizëm tashmë ka rënë dhe bashkë me të gjithë ngrehina institucionale ashtu si Kushtetutbërësi kishte rrënjosur në shpirt të Kushtetutës.

Ky nuk është i vetmi motiv, edhe pse më i rëndësishmi, që mos të flitet thjesht për arnim të Kushtetutës, por për një rishpirtërim të saj, në mënyrë që ajo të sigurojë vërtet realizimin e të vonuarit shtet të së drejtës në Republikën e Shqipërisë. Ndryshimet e nxituara në përmbajtje dhe në formë të prillit 2008 ashtu sikundër u paralajmërua nga shumë dolën të vërteta. Ky pozicionim i ri i politikës, diktuar dhe nga rezultatet e ngushta që do siguronte tani e tutje sistemi elektoral, bëri që të ndryshohej sistemi balancues në Kushtetutën tonë, duke tradhtuar në radhë të parë frymën kushtetuese. Kjo sipërmarrje u realizua me amendimin jo vetëm të një neni, por të disa neneve për të konkretizuar vizionin e ri, si: konfigurimi i një presidenti partie dhe jo më kombëtar, zhveshjen e qytetarit prej mundësisë së zgjedhjes së përfaqësuesve të tij, krijimi i një superkryeministri, etj.

Ky superpushtet në letër i mazhorancës së radhës do kishte joshur për uzurpim të institucioneve çdo lloj force politike e jo më një parti që identifikohet vetëm tek një person këtu e 20 vjet. Është pikërisht kjo përqasje e neveritshme bizantine që na ofrohet përditë, se e vetmja interpretuese e besueshme e realitetit shqiptar është ajo parti politike që siguron me të gjitha mënyrat qoftë një mandat më shumë. Në radhë të parë nuk u ngurrua të sakrifikohej stabiliteti i Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë duke ngrirë mekanizmin kushtetues të ripërtëritjes së anëtarëve të tyre në bashkëpunim me Presidentin e Republikës duke pritur aktivizimin e këtij mekanizmi në një moment të dytë që do të interpretohej si ai i duhuri.

E pra, ashtu sikundër u desh ndryshimi i shumë neneve për këtë vizion, në të njëjtën mënyrë rikthimi tek shpirti origjinal i Kushtetutës nuk mund të bëhet thjesht me një nen, qoftë ai që konsiston në heqjen e imunitetit. Në fund të fundit, secili nen i Kushtetutës nuk është një ishull i vetmuar brenda kushtetutës, por është i lidhur ngushtë me hallka të tjera të impiantit institucional. Nuk është qëllimi i këtij shkrimi të zbehë rëndësinë që mbart heqja e imunitetit, por krejt e kundërta, rritja e efikasitetit të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit prej atyre njerëzve që gëzojnë reputacionin e duhur për mos tu përfolur të nesërmen e afërt.

Një tjetër aspekt për mos tu nënvlerësuar është natyrisht faktori kohë. Ajo që na rri si shpata e Damokleut mbi fatin tonë është urgjenca e marrjes së statusit kandidat, kaq vonë ndaj fqinjëve tanë. Axhenda e ngjeshur e integrimit europian ka risjellë për të disatën herë më shumë se kurrë në aktualitet, debatin për imunitetin e funksionarëve më të lartë të Shtetit shqiptar. Duket sikur tani pas shumë kohësh dhe diskutimesh është pjekur koha për një zgjidhje përfundimtare të asaj që është kthyer në një problem real për aftësinë shtetndërtuese sipas një modeli bashkëkohor perëndimor. Në fakt, këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me njërën prej kërkesave të Brukselit, por është në lojë vetë raporti mes politikës dhe qytetarit në këtë vend dhe krizës së moralit që gërryen përditë indin social të këtij vendi. Pushtetarët e këtij vendi, për të merituar gjithë beneficet ekonomike, që me aq sakrifica kjo shoqëri u ka vënë në dispozicion për realizim të funksioneve të tyre publike, duhet të zhvishen prej aureolës së imunitetit. Në fakt, fjala aureolë nënkupton një entitet të shenjtë e kuptohet qartë që ky nuk është rasti ynë. Gjithë këto vite kanë treguar krejt të kundërtën për atë çfarë këta pushtetarë i kanë rezervuar këtij vendi dhe këtyre qytetarëve. Ajo që duhet pra është një afrim i politikës më afër qytetarit dhe kjo nuk mund të bëhet pa zbritur prej majës së Olimpit ku ata janë sot. Duhet që politika të rimarrë rolin e saj, për zgjidhjen e problemeve shoqërore e jo të flasë vetëm për vetë në mënyrë autoreferenciale duke i kundërvënë shqiptarët mes tyre.

Sigurisht, këtë mision nuk mund ta luajë pa rritur sensin e përgjegjësisë, që çdo funksionar duhet të ketë në momentin që merr përsipër administrimin e së mirës publike. Është pikërisht kjo arsyeja që funksionarët e Shtetit, nga momenti që marrin pushtete dhe të drejta të reja në dorë, heqin dorë edhe prej disa të drejtave që i kishin si qytetarë të zakonshëm. Sigurisht që këtu ekziston rreziku se këta funksionarë të lartë do ndodhen përpara një presioni jo vetëm politik, por dhe gjyqësor. Por nga ana tjetër, secili profesion ka rreziqet e veta, ashtu sikundër aktiviteti delikat i një mjeku përpara llogaridhënies se ka bërë mjaftueshëm për të shpëtuar një jetë. Nuk besoj se një mjek apo një qytetar i thjeshtë zotëron kapacitete intelektuale, njerëzore dhe financiare më të mëdha se pushtetarët për tiu nënshtruar një procesi gjyqësor me gjithë garancitë që ai ofron në rendin tonë juridik.

Përsëri në këtë drejtim, kujtojmë këtu bëhet fjalë vetëm për mundësinë, që këta njerëz që mbajnë në dorën e tyre fatet e gjithë shqiptarëve, të hetohen për çfarë bëjnë dhe jo për arrestimin e tyre. Kështu që përsëri këta e ruajnë disi një kamerdare shpëtimi kur Kuven

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›