E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti, kryeministri kërkon kompromisin e opozitës

Procedurat, PD i lë opozitës mundësi zgjedhjeje

Kryeministri Berisha i kërkon opozitës kompromis për të miratuar projektligjin për heqjen e imunitetit të deputetëve. Berisha në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar është treguar i gatshëm që t'ia lërë opozitës në dorë zgjedhjen për mënyrën e procedurave që duhet të ndiqen për të arritur një votim unanim për këtë çështje të rëndësishme, madje duke u deklaruar i gatshëm për ndryshime kushtetuese.

Kryeministri bëri një hyrje të gjatë për rëndësinë që ka heqja e imunitetit të deputetëve, si pjesë e luftës, që qeveria ka ndërmarrë ndaj korrupsionit. Luftë, falë së cilës, sipas kreut të ekzekutivit, është arritur deri tani anëtarësimi në NATO apo edhe një sërë reformash të rëndësishme për vendin. Në kushte të tilla, Kryeministri Berisha kërkoi bashkëpunimin e opozitës për heqjen e imunitetit të zyrtarëve me synim eliminimin e korrupsionit. Ai tha se duhet të ndryshohet Kodi Penal. Meqenëse kemi të bëjmë me institucione, siç është Parlamenti, drejtësia, atëherë këto duhet të jenë me 3/5 dhe ne ofrojmë si alternativë cilën dëshirë të ketë PS-ja. Po të duan të zbatojnë udhëzimin e Komisionit të Venecias dhe të bëhen ndryshimet ligjore në përputhje me ato ndryshime, por edhe sikur ndryshime kushtetuese të bëhen, do të ishte një shërbim jashtëzakonisht i madh që do ti bënim këtij vendi dhe këtyre qytetareve, - deklaroi z. Berisha. Ai bëri të qartë se në Shqipëri nuk duhet të ketë imunitarë në raport me korrupsionin pavarësisht nga komentet, por, - shtoi Berisha, - kjo mazhorancë ka votuar dhe do votojë çdo kërkesë që qeveria apo gjykatat e vendit do paraqesin për anëtarë të saj për imunitetin. Kreu i qeverisë e cilësoi tentativën për heqjen e imunitetit të deputetëve si një betejë, që vazhdimisht është mohuar nga PS-ja.
Vijmë në një betejë tjetër, heqjen e imuniteteve të deputetëve, ndaj dhe historia është e çuditshme. PD në opozitë, 7 vjet më parë, paraqiti draftin për heqjen e imunitetit të deputetëve, partia në pushtet e mohoi. Me ardhjen në pushtet të PD-së, sërish u paraqitën ligje për heqjen e imuniteteve në tërësi, sërish forca tjetër politike kundërshtoi në mënyrë absurde. Sot pas 5 vitesh nga ajo periudhë, shohim se PS të ketë realizuar gabimin që bëri në refuzimin e ligjit, - theksoi z. Berisha. Duke vënë theksin se ligji i përgatitur nga mazhoranca për heqjen e imunitetit ka qenë i shkëlqyer, Berisha kujtoi: Partia Demokratike në opozitë shtatë vjet më parë paraqiti në Parlament ligjin për heqjen e imunitetit të deputetëve. Partia në pushtet në atë periudhë e refuzoi atë në mënyrë kategorike. Me ardhjen në pushtet në vitin 2005 sërish paraqitëm ligjin për heqjen e imunitetit të deputetëve, për heqjen e imuniteteve në tërësi. Sërish, - tha ai, - forca tjetër politike e kundërshtoi në mënyrë absurde, se kur një opozitë kundërshton heqjen e imunitetit, nuk ka veprim më absurd që mund të bëjë. Sipas kreut të qeverisë, në Shqipëri nuk duhet të ketë asnjë njeri që të mbrohet nga imuniteti. Në mënyrë të qartë Berisha pohoi: Beteja kundër korrupsionit, zonja dhe zotërinj deputetë, është më e vështira e të gjitha betejave të tjera, sepse ajo para së gjithash është betejë me babëzinë e lindur të njeriut, të gjithsecilit. Sipas tij, njeriu, në mrekullinë e fenotipit të tij ka dhe gjenet e babëzisë. Unë jam i vetëdijshëm se ata sërish i mundojnë aktet e korrupsionit, sepse sërish ka korrupsion, por vetëm një gjë duhet tju informoja, se kjo betejë që bëri të mundur 5.2 miliardë dollarë më shumë në katër vitet që shkuan sesa në katër vitet para tyre; se pa këtë betejë do të kishte qenë absolutisht e pamundur anëtarësimi i Shqipërisë në NATO; ndërtimi i korridorit të kombit; dyfishimi i rrogave të arsimtarëve; asfaltimi i 6000 kilometrave rrugë në katër vjet; ndërtimi apo rindërtimi i 1100 shkollave; shtrirja e internetit në çdo shkollë e shumë e shumë reforma të tjera. Kjo betejë është e pandërprerë, vazhdon në rrafshin e penalizimeve, për çka ne duhet të përgëzojmë. Por, tani vijmë në një moment të rëndësishëm në këtë betejë, në heqjen e imuniteteve në raport me korrupsionin në Republikën e Shqipërisë, - theksoi z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›