E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: ILDKP të bëjë detyrën, të hetojë zyrtarët e lartë

Prokuroria e Përgjithshme sqaron se nga 5302 deklarata pasurie të zyrtarëve të lartë, ILDKP ka depozituar pranë këtij organi 18 kallëzime gjithsej.

Nga këto kallëzime 6 kanë qene për kryetarë komunash, 2 për doganierë, 3 për ish doganierë, 1 ish deputet, 1 ish-zëvendës ministër, 2 punonjës nga drejtoria e Tatimeve, 1 punonjës nga Ministria e Transporteve, 1 regjistrues i Pasurive të Paluajtshme, 1 ish përmbarues.

“Mbi këtë bazë janë regjistruar 13 procedime penale nga të cilat, 9 janë çuar për gjykim duke u ngritur akuzat ndaj zyrtareve te kallëzuar, 3 janë pushuar dhe 1 është ende nën hetim. Prokuroria e Përgjithshme me këtë rast shpreh vendosmërinë e saj në luftën pa kompromis kundër fenomeneve të korrupsionit në administratën e lartë publike e shtetërore. Prokuroria e Përgjithshme ashtu siç është e hapur me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit në punën e saj, kërkon nga ana e saj edhe bashkëpunimin e këtyre institucioneve në denoncimin e këtyre fenomeneve shqetësuese si dhe në mbledhjen e paraqitjen e provave konkrete e profesionale ndaj këtyre rasteve”, thuhet në reagim. 

Zyra e shtypit e Prokurorisë së drejtuar nga Ina Rama, thekson se çdo kallëzim i paraqitur nga ILDKP është vlerësuar me seriozitet dhe ai ka marrë rrugën gjyqësore çdo herë që kanë ekzistuar elementet për të ngritur një akuzë penale ndaj subjekteve si dhe është pushuar ndjekja penale në ato raste kur këto elemente në kuptim të ligjit nuk kanë ekzistuar.

“Prokuroria Shqiptare fton Inspektoratin e Deklarimit të Pasurive të fokusojë hetimin e tij administrativ drejt pasurive të zyrtarëve të nivelit të lartë të administratës publike duke plotësuar në këtë mënyrë një nga detyrat që opinioni i BE për Shqipërinë në marrjen e statusit të vendit kandidat, ka përcaktuar për institucionet shtetërore në vend”, thuhet më tej.

“Në këtë mënyrë të gjitha institucionet shqiptare kanë shansin të demonstrojnë  seriozisht vullnetin e përbashkët për të luftuar këtë fenomen në ushtrim të funksioneve ligjore respektive dhe duke mbajtur dhe përgjegjësitë përkatëse. Përpjekjet për ta  kaluar përgjegjësinë mbi institucione të tjerë nuk është tjetër veç devijim nga lufta kundër fenomenit shqetësues të korrupsionit në administratë. Vetëm nga bashkëpunimi konkret dhe duke patur për busull ligjin dhe Kushtetutën mund të arrihen rezultate të përbashkëta të suksesshme”, përfundon reagimi. /Start/

                                                                                             2011-07-21 08:17
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›