Ina Zhupa: Suksese nxënësve në vitin e ri shkollor! Nga shkollat me turne te emigrimi i të rinjve, problemet mbetën të njëjta dhe fëmijët shqiptar paguajnë çmimin

Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, deputetja Ina Zhupa, ka uruar nxënësit, mësuesit dhe prindërit për nisjen e vitit të ri shkollor, por njëkohësisht ka ngritur shqetësimin për problematikat që vijojnë të shoqërojnë arsimin shqiptar. Zhupa thekson se shkolla me kushte të papërshtatshme, mësimi me turne, klasat e mbingarkuara, mungesa e investimeve dhe pasiguria e mësuesve mbeten probleme reale, ndërsa rezultatet e PISA-s kanë nxjerrë në pah edhe pabarazitë mes zonave urbane dhe pjesës tjetër të vendit. Sipas saj, në një kohë kur Shqipëria po humbet nxënës, mësues dhe të rinj për shkak të emigrimit, arsimi kërkon një reformë të thellë dhe më shumë investime, jo programe të reja për propagandë. Zhupa u shpreh se opozita do të vijojë t’i denoncojë këto problematika dhe të kërkojë llogari për një sistem arsimor që t’u japë të gjithë fëmijëve shqiptarë mundësi të barabarta.
Statusi i plotë i Ina Zhupës:
Suksese të gjithë nxënësve, mësuesve dhe prindërve në nisjen e vitit të ri shkollor!
Por sot nuk mjafton një foto me nxënës, një fjalim me fjalë të bukura dhe një listë me programe të reja.
Sot situata është ende me shkolla që nuk kanë kushtet e duhura. Mësimi me turne. Klasa të mbingarkuara. Mungesa e investimeve aty ku komunitetet kanë më shumë nevojë. Mësues të pasigurt për vendin e punës dhe të lodhur nga burokracia e presionet. Siguria në shkolla që ende mbetet një shqetësim real.
Niveli i shkollave matet me mundësinë që një fëmijë në Sarandë, Shkodër, Kukës apo Tiranë të ketë të njëjtin standard arsimimi. Ndërsa teksti i fundit i Pisa na tregoi që shkollat përtej qyteteve të mëdha qendra urbane as nuk i merrnin dot në testim.
Prej vitesh Shqipëria humbet nxënës, humbet mësues dhe humbet të rinj që zgjedhin emigrimin. Në vend që arsimi të jetë investimi më i madh për të ndalur këtë hemorragji, ai vazhdon të trajtohet si një zë buxhetor që gjithmonë i merren para dhe asnjëherë nuk arriti 5% e premtuar në 2013 nga qeveria Rama.
Në vend të një reforme të thellë dhe më shumë buxhet për arsimin, kemi më shumë programe për t’u inauguruar dhe më shumë propagandë për t’u reklamuar.
Ne nuk do të lejojmë që problemet e arsimit të fshihen pas propagandës, por do t’i denoncojmë, do të kërkojmë llogari dhe do të luftojmë për një arsim që i jep fëmijëve shqiptarë mundësinë të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri.
Suksese në rrugën e dijes!