E Shtunë, 31 Tetor 2026

India pas krizës: Jep dorëheqjen Ministri i Brendshëm

Në Indi, zyrtari më i lartë për çështjet e sigurimit dha dorëheqjen, në klimën e akuzave se qeveria nuk bëri sa duhej për të parandaluar sulmet terroriste në Bombei.

Ministri i Brendshëm Shivraj Patil e dha dorëheqjen mes akuzave të opozitës dhe të medias se ishte dështimi i qeverisë në kundërzbulim që lejoi ngjarjen e rëndë. Zyrtarët akuzohen gjithashtu se reaguan dobët pas fillimit të krizës. Dorëheqje ofroi edhe Këshilltari i Sigurimit Kombëtar.

Rreth 175 vetë u vranë në këto sulme që filluan të mërkurën dhe zgjatën tre ditë në disa objekte të qytetit. Qindra persona të tjerë u plagosën.

Komandot indiane vranë 9 persona të armatosur gjatë luftimeve të ashpra. Një person i armatosur i identifikuar si pakistanez, është kapur i gjallë.

Ministri i jashtëm i Indisë ka thënë se ekzistojnë prova që flasin për lidhje të personave të armatosur me Pakistanin. Pakistani ka mohuar se ka patur ndonjë rol në këtë ngjarje.

Zyrtarë amerikanë të zbulimit thanë se sulmi kishte shenjat e grupit ekstremist islamik me bazë në Pakistan, Lashkar e-Taiba.//mm//