E Diel, 1 Nëntor 2026

“Indiana Jonesi i vërtetë” që zbuloi qytetin e humbur të inkasve

Një eksplorues amerikan i njohur si “Indiana Jonesi i vërtetë” pretendoi në vitin 1964 se kishte zbuluar Vilkabamban, qytetin legjendar ku inkasit u strehuan pas pushtimit spanjoll.

Gene Savoy arriti në rrënojat e Espiritu Pampas, rreth 60 kilometra në veriperëndim të Maçu Piçus, duke besuar se kishte gjetur kryeqytetin e fundit të inkasve. Zbulimi i tij erdhi 53 vjet pasi Hiram Bingham III kishte pretenduar se Maçu Piçu ishte pikërisht qyteti i humbur i Vilkabambës.

Savoy, së bashku me eksploruesin peruan Antonio Santander Cascelli, u përball me terren të vështirë, xhungël të dendur dhe besëtytni lokale. Megjithatë, në rrënoja gjeti ndërtesa prej guri, pallate, shatërvanë dhe gjurmë të një vendbanimi të madh inkas.

Vetëm gjashtë javë më vonë, një ekip i BBC-së ndoqi gjurmët e tij për të verifikuar zbulimin. Ekspedita u përball me lumenj të rrëmbyeshëm, kanione dhe pyje të dendura përpara se të arrinte te rrënojat.

Një nga provat më të rëndësishme ishin tjegullat e çatisë, të cilat nuk ishin tipike për arkitekturën inkase. Ato kishin dizajn spanjoll, por shfaqnin edhe ndikime të qarta inkase. Kjo përputhej me përshkrimet historike të Vilkabambës, ku përmendej një pallat i mbuluar me tjegulla.

Sipas historianëve dhe arkeologëve, këto të dhëna ndihmuan në identifikimin e Espiritu Pampas si Vilkabamba, vendi ku inkasit vazhduan rezistencën ndaj spanjollëve deri në vitin 1572.

Ironikisht, Hiram Bingham kishte kaluar pranë kësaj zone dekada më herët, por moti i keq dhe kushtet e vështira e detyruan të largohej. Më pas ai e identifikoi Maçu Piçun si qytetin e humbur, një përfundim që më vonë u vu në dyshim.

Vilkabamba ishte kthyer prej shekujsh në një legjendë. Pas rënies së Kuskos, Manko Inka udhëhoqi pasuesit e tij drejt maleve, ku u krijua një qendër e re politike dhe ushtarake. Qyteti u bë baza e rezistencës kundër pushtuesve spanjollë, përpara se inkasit ta braktisnin dhe ta digjnin në vitin 1572.

Megjithatë, misteri nuk është zgjidhur plotësisht. Një pjesë e madhe e zonës mbetet e mbuluar nga xhungla dhe arkeologët besojnë se mund të ketë ende struktura të pazbuluara.

Ndërsa për thesarin e humbur të inkasve, Savoy ishte i bindur se ai ende mund të fshihej diku në malet e Perusë.

Një qytet i humbur për shekuj, një eksplorues që e kërkoi gabimisht dhe një tjetër që ndoqi gjurmët e tij – historia e Vilkabambës mbetet një nga misteret më fascinues të botës inkase.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›