E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Inflacioni sipas metodologjisë së Eurostat, 2,6 % në 2024-ën

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Rritja mesatare vjetore e çmimeve, e matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), një metodologji e Eurostat, në vitin 2024 është 2,6 %.

Sipas raportit të publikuar nga INSTAT, inflacioni sipas metodës së Eurostat rezultoi 0,4 % më i lartë se sa ai i matur nga INSTAT.

Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në 2024, sipas INSTAT-it është 2,2 %.

Referuar raportit për IHÇK, rritja mesatare vjetore e çmimeve, e matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit
për muajin dhjetor është 2,4 %.

Të dhënat tregojnë se rritja më e madhe e çmimeve prej 5,4 % vërehet në grupin “argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “pije alkoolike dhe duhan” me 3,9 %, “mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 3,6 %, apo “veshje dhe këpucë” me 3,2 %.
Çmimet e grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” shënuan rritje vjetore prej 2,7 %, ato të grupit “shëndeti” me 1,5%, dhe “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,9 %. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 1,4 %.

Krahasuar me muajin nëntor, në muajin dhjetor 2024, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,5 %.

Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “argëtim dhe kulturë” me 1,3 %, pasuar nga grupet “pije alkoolike dhe duhan” me 0,9 %, “ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,7 %, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “shëndeti” dhe “mallra
dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 % secili.

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) mat ndryshimin e nivelit të çmimeve me pakicë të mallrave dhe shërbimeve nga pikëpamja e strukturës së shpenzimeve të cilat konsumatori (vendas dhe i huaj) synojnë për konsumin final në territorin e Shqipërisë. IHÇK përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet Evropiane, duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve të Evropës dhe si inflacion zyrtar i Bankës Qendrore Evropiane duke siguruar stabilitetin e çmimeve në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›