Influencerja Alix Earle ndan me ndjekësit e saj betejën me shëndetin mendor

Influencuesja e njohur amerikane Alix Earle ka ndarë me ndjekësit e saj vështirësitë që ka përjetuar për shkak të presionit në rrjetet sociale, duke zbuluar se kritikat e vazhdueshme e kanë çuar deri në një sulm paniku.
25-vjeçarja foli për gjendjen e saj emocionale në një video të publikuar në TikTok, ku tregoi se kishte marrë një pauzë nga platformat online për t’u përqendruar te vetja dhe mirëqenia personale.
Earle tregoi se ishte mësuar me komentet negative gjatë viteve të saj si figurë publike, por sipas saj, kohët e fundit presioni është bërë më i madh. Çdo zgjedhje e saj, nga pamja e jashtme deri te njerëzit me të cilët shoqërohet apo gjërat që publikon, është kthyer në objekt diskutimi dhe kritikash.
“Çdo gjë që bëj, mënyra si dukem, me kë shoqërohem apo çfarë them, analizohet dhe kritikohet”, u shpreh ajo.
Influencuesja zbuloi se javën e kaluar përjetoi një sulm paniku gjatë një udhëtimi me avion, një moment që e bëri të kuptonte se kishte nevojë të largohej për pak kohë nga presioni i vazhdueshëm i rrjeteve sociale.
Sipas saj, shpesh njerëzit përpiqen të gjejnë kuptime të fshehura në çdo postim apo veprim të saj, duke i dhënë situatave një peshë më të madhe nga sa kanë realisht.
Për t’u shkëputur nga kjo atmosferë, Earle kaloi disa ditë me miqtë e saj në Miami. Ajo vendosi të mos publikonte edhe përmbajtjen e përgatitur nga ai udhëtim, pasi kishte filluar të analizonte tepër çdo detaj të vetes dhe mënyrës si do të pritej nga publiku.
Megjithatë, influencuesja bëri të qartë se vazhdon ta dojë punën e saj si krijuese përmbajtjeje dhe nuk dëshiron që komentet negative të ndikojnë në mënyrën se si e sheh veten.
Rrëfimi i saj mori mbështetje të madhe nga ndjekësit, të cilët e inkurajuan të vazhdojë t’i japë rëndësi shëndetit mendor dhe kujdesit ndaj vetes.