E Enjte, 5 Nëntor 2026

Informacioni gjeohapësinor, Xhembulla: Ndihmon në menaxhimin më të mirë të territorit

TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, shqyrtoi sot projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Infrastrukturës kombëtarë të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, në cilësinë e komisionit përgjegjës.

Almira Xhembulla, zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit, tha se, “autoriteti shtetëror për informacionin gjeohapësinor, (ASIG) e ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me legjislacionin dhe ka për detyrë krijimin e përdorimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor sipas direktivës së BE-së”.

Ky autoritet tha ajo, ka realizuar koordinimin ndërinstitucional për mbledhjen e informacionit dhe administrimin e këtij informacioni në funksion të zhvillimit të vendit.

Sipas saj, “krijimi i infrastrukturës kombëtare krijon një panoramë gjithë përfshirëse të të gjitha aseteve, duke i ardhur në ndihmë autoriteteve publike mbi vendimmarrjet në administrimin e territorit”.

“Gjithashtu përpunimi i informacioneve nga ASIG do t’i vijë në ndihmë institucioneve si për monitorimin mjedisor dhe menaxhimin më të mirë të territorit të vendit”, theksoi ajo.

Xhembulla tha se, “ndryshimet ligjore përfshijnë përputhjen e plotë me legjislacionin e BE-së, adaptimin e teknologjive të reja për përpunimin e informacionit dhe përdorimi  kamerave 360 gradë. Po ashtu do të të përmirësojë procesin e mbledhjes dhe përpunimit të informacionit gjeohapësinor në dobi të institucioneve të ndryshme apo grupeve të ndryshme private.

Deputeti i opozitës Helidon Bushati u shpreh se shqiptarët u duhet të paguajnë 6 milionë euro, për 3 vjet për të parë foto të bukura me ngjyra.

“Ky program me vlerë 6 milionë euro, është një ekspozitë digjitale hartash. Nëse në Nacional Gjeografik shohim foto me ngjyra shume të bukura pa kosto, shqiptarët duhet të paguajnë 6 milionë euro, për 3 vjet për të parë foto të bukura me ngjyra”.

Bushati theksoi se, “kur u prezantua ky program u kuptua sikur ky do të zhdukte urinë, nuk do të kishte më kanabis, nuk do të kalonin më mallra kontrabandë nëpër kufi dhe bujqësia do të kishte rendimente të larta. Por në të vërtetë, tha ai,  arritja e vetme e këtij programi është që ka arritur të saktësoj sipërfaqen pyjore që është djegur në Sazan dhe sa sipërfaqe ka ngelur e lagët nga përmbytjet në Bunë”, u shpreh Bushati, duke shprehur rezervat e tij për ndryshimet ligjore.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›