Infrastruktura në Shkodër, hapet rruga për sistemimin e rrugës “Pjetrushi” në Grudë të Re

Qeveria shqiptare ka dhënë dritën jeshile për realizimin e projektit të infrastrukturës rrugore pranë varrezave të qytetit në Shkodër. Me propozim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave ka vendosur shpronësimin e pasurive private që preken nga projektimi dhe asfaltimi i rrugës “Pjetrushi”, në zonën e Grudës së Re.
Për këtë projekt, buxheti i Bashkisë Shkodër do të mbulojë një vlerë kompensimi prej 326,970 lekësh për pronarët e tokave, krahas kostove procedurale. Ky investim konsiderohet i domosdoshëm për të rregulluar qasjen dhe infrastrukturën në një pikë kyçe të qytetit.
Detyrimet institucionale
Në vendim specifikohet se Agjencia Shtetërore e Kadastrës Shkodër duhet të nisë menjëherë procedurat për pasqyrimin e projektit në regjistrat pronësorë. Deri në përfundim të hedhjes së gjurmës së rrugës, të gjitha transaksionet mbi pasuritë e prekura do të mbeten të pezulluara.
Afati i parashikuar për likuidimin e plotë të pronarëve është 90 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit. Bashkia Shkodër është ngarkuar me detyrën për të kryer pagesat, sapo pronarët të vërtetojnë titujt e tyre të pronësisë.
/rtsh.al/