E Diel, 1 Nëntor 2026

Infrastruktura policore, qeveria akordon 3.7 milionë lekë për rikonstruksionin e Komisariatit Nr. 5 në Kamzë

Programi i Rindërtimit do të financojë edhe përmirësimin e infrastrukturës policore. Këshilli i Ministrave, me një vendim të posaçëm, ka miratuar një fond shtesë për rikonstruksionin e godinës së Komisariatit të Policisë Nr. 5 në Kamzë.

Sipas Vendimit Nr. 764, në buxhetin e vitit 2025 të Ministrisë së Punëve të Brendshme, specifikisht në programin “Policia e Shtetit”, shtohet fondi prej 3,690,000 lekësh (pa TVSH).

Ky investim vjen në kuadër të përballimit të pasojave të fatkeqësisë natyrore dhe do të mbulohet tërësisht nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit të miratuar për vitin 2025.

Për zbatimin e këtij vendimi dhe transferimin e fondeve janë ngarkuar Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, e cila është edhe njësia zbatuese e projektit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›