E Diel, 1 Nëntor 2026

Iniciativa për Tiranën mbledh 31 intelektualë, debat me kandidatët

Grupimi i shoqërisë civile, “Iniciativa për Tiranën”, hapi dje një debat publik lidhur me problematikën që ka kryeqyteti dhe të ardhmen e tij. Rreth 31 intelektualë të spikatur në fushat e tyre nënvizuan çështjet që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme në Tiranë, ndërsa u kërkuan kandidatëve për kryetar bashkie vizionin e tyre për to.I pranishëm nga kandidatët për Bashkinë e Tiranës ishte vetëm Lulzim Basha, ndërsa kandidati socialist mungoi për shkak të axhendës së tij të ngjeshur, siç u komunikua nga moderatorja e këtij diskutimi, pedagogia Grida Duma. Paneli ishte i përbërë nga emra të njohur si Aleks Luarasi, profesor; Adrian Civici, ekonomist, financier dhe pedagog në UET; Zhani Ciko, drejtor i TOB; Valentina Kuka, pedagoge në UT; Halim Kosova, mjek i njohur; Jera Kruja, mjeke neurologe; Neritan Ceka, arkeolog; Nevila Nika, historiane; Bujar Kapexhiu, pedagog në UET; Henri Çili, gazetar; Artan Lame, inxhinier; Dhori Kule, rektori i UT; Zef Preçi, ekonomist; Kujtim Çashku, pedagog; Besnik Aliaj, inxhinier etj. Dy rektorët e universiteteve të ndryshme, Aleks Luarasi dhe Dhori Kule, adresuan në këtë takim disa mungesa që vihen re në kryeqytet. Rektori i Universitetit të Tiranës, Kule, kërkoi nga kandidatët se çfarë parashikojnë ata në platformat e tyre për arsimin në Tiranë. Duke ngritur shqetësimin për një marrëdhënie më të mirë të Bashkisë dhe kryetarit të saj me intelektualët dhe botën universitare, pedagogia e Historisë, Valentina Duka, kërkoi që pranë kryetarit të Bashkisë të funksionojë një organ këshillimor. “Duke qenë Tirana qendra më e madhe e universitare e vendit, do të dëshiroja që Bashkia të nënshkruante një marrëveshje me Universitetin e Tiranës, i cili do të angazhohej me studime, por dhe me studentë në punë vullnetare për qytetin”, u shpreh Duka. Ndërsa regjisori i njohur, Kujtim Çashku, propozoi mënyra konkrete të zhvillimit kulturor të qytetit. “Duhet të krijohen 11 qendra multifunksionale në të gjitha njësitë bashkiake të Tiranës, si biblioteka, qendra filmi etj. Bashkia duhet të bëjë shpalljen e 11 parqeve të gjelbra ku të vendosen monumente të personaliteteve të shquara të vendit, nga ku do të njihet rinia brez pas brezi”, u shpreh Çashku. Ndërsa arkitekti Besnik Aliaj kërkoi tri prioritete të menjëhershme pas 8 majit. “Puna duhet filluar nga Plani Rregullues i zhvillimit të Tiranës. Gjithashtu duhet bërë një reformim i plotë i sistemit ët transportit në kryeqytet. Tiranës sot i mungojnë 170 kilometra rrugë të reja, mungesa e të cilave trysnin trafikun në rrugët ekzistuese dhe drejt qendrës. Gjithashtu duhet menjëherë të depërtohet sa më parë në blloqet e banimit”, u shpreh Aliaj.
Basha
Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, i cili iu përgjigj pozitivisht ftesës së forumit të intelektualëve, pasi mbajti shënim të gjitha vërejtjet, pyetjet dhe sugjerimet e folësve, e cilësoi këtë iniciativë si një mënyrë ku “energjitë e këtij qyteti janë zgjuar dhe po rrjedhin në drejtim të këtij qyteti”.
“Ajo që ju përfaqësoni janë qytetarët, ndërsa armët tuaja si intelektualë janë dy: lufta për të vërtetën dhe interesi publik. Këto janë të pazëvendësueshëm dhe kështu duhet të jetë për çdo kandidat dhe për zotin Rama, edhe pse nuk ishte prezent. Unë e di se realiteti politik e ka llogorizuar diskursin politik dhe ka një përpjekje që do ta llogorizojë edhe më tej, që do të na fusë të gjithë në llogore. Unë mendoj se në këtë luftë s’ka për të pasur asnjë të fituar. Unë përsëris angazhimin tim për ta parë këtë garë jo si një luftë, por si një kontribut dhe unë jam i vendosur të jap kontributin tim për vizionin tim, planet dhe platformat e mia në funksion të halleve dhe shqetësimeve të qytetarëve dhe kurrsesi si një luftë. Unë përsëris angazhimin tim duke e parë këtë jo si një garë, por si një kontribut. Në këtë kuadër, angazhohem duke marrë preokupimet e shprehura nga ju, shpresoj që t’ju kthej përgjigje herën tjetër, në takimin e radhës, ku do të angazhohem në një debat me ju”, tha Basha.

Duka: Bashkia, marrëveshje me Universitetin
Pedagogia e historisë, Valentina Duka, kërkoi bashkëpunim më të madh të Bashkisë me Universitetin. “Kryetari i ardhshëm i Bashkisë duhet të respektojë mendimin intelektual. Duke qenë Tirana qendra më e madhe e universitare e vendit, do të dëshiroja që Bashkia të nënshkruante një marrëveshje me Universitetin e Tiranës, i cili do të angazhohej me studime, por dhe me studentë në punë vullnetare për qytetin. Ndërsa Bashkia mund të mbështeste projektet e universitetit. Bashkia duhet të krijojë ‘Ditën e karrierës’ për promovimin dhe mbështetjen e talenteve të spikatura në universitetet shtetërore dhe ato private, për të stimuluar talentet dhe krijuar modele të shëndosha në jetën tonë. Lipset të zhvillohen takime të hapura të kryetarit të Bashkisë së Tiranës me stafin akademik të universiteteve”, u shpreh Duka.

Preçi: Sfidë organizimi i Tiranës
Ekonomisti Zef Preçi kërkoi një bashkëpunim mes qeverisjes vendore dhe asaj qendrore. “Duhet të përmirësojmë cilësinë e jetesës si rezultat i bashkërendimit të qeverisjes qendrore dhe asaj vendore. Sfida më e madhe për kryetarin e Bashkisë së Tiranës do të jetë ajo e organizimit të qytetit dhe për të legalizuar e urbanizuar periferitë. Pra është një sfidë e dyfishtë. Është ideja e Tiranës policentrite. Tirana sot kërkon riorganizim të blloqeve të banimit, të cilat duhet të bëhen të kalueshme nga makinat e policisë, nga autoambulancat, zjarrfikëset etj. E përshëndes këtë takim duke e parë si fillim të një procesi, i cili hap pas hapi duhet të kthehet në një kulturë demokratike ku mund të elaborohen ide dhe të rritet presioni pozitiv i qytetarëve të përgjegjshëm duke kërkuar monitorimin e aktivitetit të tyre pas datës 8 maj”, u shpreh Preçi.

Lame: Si do të menaxhohet qendra e qytetit
Një nga mbrojtësit e trashëgimisë kulturore, Artan Lame, i kërkoi Lulzim Bashës se çfarë koncepti ka për qendrën e Tiranës. “Për shkak të mosmarrëveshjeve Bashki-Qeveri, kemi të bllokuara disa projekte dhe zvarritje të atyre që janë nisur. Nuk dua të hyj këtu se kush e ka fajin. Dua ta pyes zotin Basha: cili është mendimi yt për ansamblin monumental të qendrës së Tiranës? Pasi çdo qeveri që ka ardhur në pushtet e ka kafshuar nga një copë atë. Në këtë kuadër është dhe një objekt që po kafshohet edhe këto ditë. Doja një mendim tëndin personal: Cili është mendimi yt për Piramidën, por dhe ndaj kompleksit sportiv ‘Dinamo’, ku është miratuar një projekt me ndërtesa shumëkatëshe? Ky kompleks është ‘dënuar me vdekje’, duke i hequr Tiranës hapësirën e fundit të gjelbër që i ka mbetur këtij qyteti”, u shpreh Lame.

Çashku: Tirana, zonë e lirë artistike
Regjisori i njohur kërkoi një interes më të madh për artin dhe kulturën në Tiranë. “Tirana duhet të shpallet zonë e lirë për secilin artist, të huaj apo shqiptar. Do të propozoja që të përjashtohen nga taksat ato investime që lidhen me artin për t’i dhënë një zhvillim cilësor artit në këtë qytet. Propozoj që pranë kryetarit të Bashkisë të funksionojë Komiteti i Fisnikëve të Tiranës, specialistë dhe personalitete, jo të punësuar në administrata, me të cilët kreu i Bashkisë duhet të konsultohet për problematika të ndryshme të qytetit. Duhet të krijohen 11 qendra multifunksionale në të gjitha njësitë bashkiake të Tiranës, si biblioteka, qendra filmi etj. Bashkia duhet të bëjë shpalljen e 11 parqeve të gjelbra ku të vendosen monumente të personaliteteve të shquara të vendit, nga ku do të njihet rinia brez pas brezi”, u shpreh Çashku.

Aliaj: Prioritet Plani Rregullues i Tiranës
Urbanisti i njohur, arkitekti Besnik Aliaj, kërkoi ndërhyrje të menjëhershme në Tiranë në disa drejtime. “Pa u ndalur shumë në problematikën e gjerë që ka ky qytet, unë do të rekomandoja tri prioritete imediate: Pas 8 majit, puna duhet filluar nga Plani Rregullues i zhvillimit të Tiranës. Gjithashtu duhet bërë një reformim i plotë i sistemit të transportit në kryeqytet. Tiranës sot i mungojnë 170 kilometra rrugë të reja, mungesa e të cilave trysnon trafikun në rrugët ekzistuese dhe drejt qendrës. Gjithashtu duhet menjëherë të depërtohet sa më parë në blloqet e banimit. Pa u rregulluar blloqet e banimit, lagjet dhe ambientet rreth pallateve dhe shtëpive, s’mund të flasim për një Tiranë europiane dhe nuk na vlen asnjë fasadë që mund të bëhet në qendër të qytetit”, u shpreh Aliaj.

Basha në Njësinë Nr. 10: Prioritet, zhvillimi i lagjeve

Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, në vijim të fushatës elektorale ishte në Njësinë Bashkiake Nr. 10 në Tiranë. Në bashkëbisedimin me banorët e kësaj minibashkie, Basha ka ndarë me ta shqetësimet për infrastrukturën dhe, siç ata u shprehën, mungesën e hapësirave të gjelbra. Vendparkimet dhe taksat e larta janë problemet kryesore me të cilat ndeshen bizneset në Rrugën e Durrësit dhe te “Myslym Shyri”. “Në qoftë se kjo rrugë është arteria kryesore e qytetit të Tiranës, është rruga më e degraduar. Ka hequr parkimet, ka ngritur taksat, duke menduar se Rruga e Durrësit është rrugë e parë, por e ka lënë të një kategorie të dorës së tretë”, tha një prej pronarëve të dyqaneve në Rrugën e Durrësit. “Do të bëj gjithçka për ta rikthyer në parametrat që ju të funksiononi me xhiron normale”, u shpreh Basha. Kandidati demokrat tha se zhvillimi i lagjeve do të jetë një nga prioritetet e tij, sipas një formule e cila do të respektojë pronën private dhe hapësirat publike.

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›