Institucionet publike raportim të veprimtarive katër muaj para zgjedhjeve

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Komisioni Rregullator miratoi sot disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin nr. 9, datë 24.12.2020, të Komisionit Rregullator “Për rregullat e raportimit të veprimtarive me karakter publik të çdo institucioni publik, e me kapital shtetëror, agjencive, enteve shtetërore, kategoritë e veprimtarive të ndaluara, si dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes dhe përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore para zgjedhjeve”.
Ndryshimet dhe shtesat e bëra në vendimin nr. 9, kanë për qëllim përmirësimin dhe adresimin e problematikave të hasura nga zbatimi i tij, në lidhje me raportimet e veprimtarive publike të institucioneve shtetërore, që nga momenti kur ndërfaqja është implementuar për herë të parë, analizimit të vendimmarrjes së KAS dhe rekomandimeve/sugjerimeve të ardhura nga organizatat që operojnë në fushën e zgjedhjeve dhe shoqëria civile.
Gjithashtu, u qartësuan disa rregulla të vendosura më parë dhe procedura e raportimit nga institucionet publike të veprimtarive të tyre, gjatë periudhës katër muaj para datës së zgjedhjeve.
KQZ po punon për të përmirësuar ndërfaqen e raportimit (NRI) për të eleminuar informacionin e paplotë, kufizimet teknike dhe ndryshimin e të dhënave të raportimeve. Ndaj, vendimi i miratuar në mbledhjen e sotme, e bën pjesë integrale të vendimit nr. 9, modulin e ri të raportimeve (NRI).
/r.e/