E Diel, 1 Nëntor 2026

Instituti Goethe, Klosi u pushua pas 8 vitesh punë

Ardian Klosi

Drejtoresha Brigitta Grau-Günther e pushoi nga puna pa paralajmërim.

Reagojnë Lame, Gumeni dhe Ferruni: Jemi të indinjuar.

Institutit Goethe i nevojitet kohë, deri në dhënien e një përgjigjeje zyrtare lidhur me pushimin nga puna pa paralajmërim të Ardian Klosit. Përkthyesi, publicisti, njeriu i letrave në përgjithësi, i cili ndërroi jetë më datën 26 prill, mbajti për 8 vite pozicionin e drejtorit ekzekutiv pranë shoqatës kulturore gjermano-shqiptare Robert Schwartz, u pezullua krejt papritur në janar. Në ditët e para të fillimvitit ai bëri tentativën e parë të vetëvrasjes dhe u shtrua për 3-4 ditë në spital për kujdes mjekësor. Por, pas daljes që andej, u përball me librat dhe dokumentet e tij të paketuara nga ana e drejtoreshës së Deutschzentrum Tirana (Qendra e Gjermanishtes), Brigitta Grau-Günther, si dhe me lajmin se është i papunë. Të paktën kështu rrëfeu dje për gazetën Panorama mikja e tij e ngushtë që nga fëmijëria, Kozara Kati, ndërsa lajmi është konfirmuar tashmë dhe nga familjarët e të ndjerit, si dhe ish-kolegë. I vetmi që ende nuk po reagon lidhur me ngjarjen është instituti Goethe (Gëte) në Tiranë, që ndodhet në rrugën Ismail Qemali. Kërkesës sonë për të marrë një përgjigje lidhur me shkarkimin nga puna të Klosit, pa u lajmëruar më parë, duke shkelur kështu ligjin, punonjësit pranë institutit na thanë që tu drejtojmë një shkresë zyrtare. Ne nuk u vonuam në dërgimin e shkresës dhe as institucioni me kthimin e saj. Veçse, ishte një përgjigje pa përgjigje. Zonja Grau-Günther ndodhet aktualisht në një udhëtim pune dhe do të kthehet në Tiranë javën e ardhshme, shkruhej në sqarimin e shkurtër që na erdhi nga instituti Goethe. Ndërkaq, në faqen zyrtare të institucionit Goethe, ku deri dje në mesditë ekzistonte eksperienca e punës së Klosit dhe kontributi i tij, diçka ndryshoi. Më saktë, pasdreke u hoq dritarja ku paraqitej  aktiviteti i të ndjerit dhe kohëzgjatja në punë; që ishte nga viti 2004. Po ashtu, u bllokua edhe nekrologjia e Klosit, e cila ndodhej direkt në hapjen e parë të faqes zyrtare: http://www.goethe.de/ins/al/tir/kue/lit/sq9256502v.htm. Nekrologjia e tij u spostua në njërin prej linkeve të brendshëm të faqes zyrtare të institutit.
Reagojnë miqtë
Menjëherë pas lajmit të botuar në gazetën Panorama, kanë qenë të shumta reagimet e miqve të Klosit. Disa prej tyre e dënuan menjëherë aktin e pushimit nga puna pa paralajmërim nga ana e institutit Goethe dhe disa zgjodhën të mos e besojnë. Se e tillë u dukej kjo ngjarje, si e pabesueshme. Të paktën kështu thotë miku i vjetër i Klosit, shkrimtari dhe publicisti Daut Gumeni: Është vërtet i pabesueshëm një qëndrim i tillë ndaj një personaliteti të gjithanshëm, me përmasat e Ardian Klosit. Nëse është vërtet ai që përmendet motivi i shkarkimit të doktor Klosit nga drejtor Ekzekutiv i shoqatës kulturore shqiptaro-gjermane, me emrin e Robert Shvarcit të paharruar, atëherë vetëm për të menduar nuk bëhet dot fjalë… Po qe se vërtet e kanë shkarkuar doktor Klosin nga ajo detyrë, pasi paskan menduar se do të vonohej shumë kohë, ai model të menduari duket si shumë larg  kohës së marrëdhënieve të shëndetshme kulturore të kohës sonë. Nëse Klosi ynë iku duke na lënë një zbrazëtirë, që kushedi sa kohë do të dojë të mbushet, me bekimin e një njeriu me talentet e tij, ata që e kanë pushuar me një motivim aq absurd, mbase janë bërë pa kohë për bekime apokaliptike. Shumë spontan dhe aspak i kursyer për një opinion origjinal u tregua Artan Lame. Duke e krahasuar popullin gjerman me automjetet, publicisti dhe koleksionisti Lame thotë: Gjermanët nuk janë njerëz, por makina. Kur u prishen makinat, i hedhin. Dhe për gjermanët nuk është turp të të hedhin, nëse je prishur, nëse nuk u hyn më në punë. Nuk kuptojnë ata nga ndjeshmëria njerëzore. Nëse u thua se je sëmurë, të thonë se nuk ke punë këtu dhe ik në spital. Dhe nuk duan që tia dinë. Ashtu e kanë natyrën ata, dhe nuk ke çu bën. Mos u çudisni fare. Si aktivist i të drejtave dhe lirive të njeriut, por i njohur më së shumti si ambientalist, Lavdosh Ferruni, një tjetër mik i kauzave të përbashkëta me Klosin, reagon i indinjuar. Cilido intelektual shqiptar, por dhe gjerman që e njeh Shqipërinë, kur bëhet fjalë për njohjen e kulturës gjermane në Shqipëri nuk mund të mos e lidhë atë me veprimtarinë dhe autoritetin e Ardian Klosit. Tri dekada energji e derdhur për  kulturën Gjermane nuk mund të hidhen poshtë në 3 ditë largim nga puna, pas një drame personale të tij, thotë Ferruni. Sipas tij, Klosi edhe udhëtimet e tij në natyrë i bënte me miq gjermanë, duke shkëmbyer kulturën për mbrojtjen e mjedisit shqiptar, që e ndjente thellë në shpirt. Tek vizitonte me kolegët gjermanë kanionet e lumit të Tiranës, ai nuk mund të mos shkruante për masakrën me Rrugën e Arbrit të monumentit natyror te shkallët e Tujanit. Me 2 kolegë gjermanë, ai planifikoi dhe udhëtimin e tij të fundit, nga Dardha në Përmet, të cilin e priti me shumë dashuri, por këtu nuk mundi të vazhdojë më tej. Sot, diçka madhore i mungon kulturës gjermane, në raport me qytetarin e mirë shqiptar, Ardian Klosi, thekson Ferruni.

Dëshmia e Kozara Katit, mikes së ngushtë të Klosit
Danin e hoqën nga puna në janar, direkt pas tentativës për vetëvrasje

Kozara Kati

Ishte mikja e fëmijërisë dhe e kauzave të përbashkëta, Kozara Kati, ajo që denoncoi e para pezullimin e menjëhershëm nga puna të Ardian Klosit, sapo instituti Goethe u informua mbi tentativën e vetëvrasjes. Më tha që nuk kishte më as zyrë dhe as rrogë. E kishin përzënë nga puna. Dani punonte aty si drejtor Ekzekutiv i shoqatës kulturore shqiptaro-gjermane Robert Schwartz. E hoqën nga puna në momentin më të vështirë të jetës së tij. Pasi kishte humbur nënën e tij, me të cilën ishte shumë i lidhur dhe ndërkohë kishte tentuar ti jepte fund jetës. Pra, bëhet fjalë për në janar, pas tentativës së parë për vetëvrasje. Dani ishte në spital duke u kuruar kur një funksionare e re pranë institutit Goethe i kishte bërë gati librat dhe të gjithë dokumentacionin. Kur pas daljes nga spitali Dani u paraqit sërish në punë, u përball me shkarkimin. Motivi që i kishte dhënë zonja në fjalë kishte qenë: Menduam se nuk do të vije për një kohë të gjatë në punë. Nuk na shkoi në mendje se do të ktheheshe shpejt. Më pas, Kati bëri publik edhe emrin e zonjës që e kishte pushuar nga puna: Nuk dua të gabohem, por me sa më kujtohet, quhet Brigitta Grau-Günther.

Daut Gumeni
Është vërtet i pabesueshëm një qëndrim i tillë ndaj një personaliteti të gjithanshëm, me përmasat e Ardian Klosit. Nëse Klosi ynë iku duke na lënë një zbrazëtirë, që kushedi sa kohë do të dojë të mbushet, me bekimin e një njeriu me talentet e tij, ata që e kanë pushuar me një motivim aq absurd, mbase janë bërë pa kohë për bekime apokaliptike.

Artan Lame
Gjermanët nuk janë njerëz, por makina. Kur u prishen makinat, i hedhin. Dhe për gjermanët nuk është turp të të hedhin, nëse je prishur, nëse nuk u hyn më në punë. Nuk kuptojnë ata nga ndjeshmëria njerëzore. Nëse u thua se je sëmurë, të thonë se nuk ke punë këtu dhe ik në spital. Dhe nuk duan që tia dinë. Ashtu e kanë natyrën ata dhe nuk ke çu bën.
Mos u çudisni fare….

<

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›