Integrimi dhe p
• Adriana CiviciRritja e kapaciteteve të “Administratës së integrimit”, ose thënë ndryshe të kapaciteteve administrative të lidhura direkt me zbatimin e kritereve dhe detyrimeve që rrjedhin nga MSA, është sfidë që nuk ka të bëjë vetëm me perceptimin e përgjithshëm të integrimit, por në radhë të parë me dimensionin e ri që duhet t’i përgjigjet ambicieve tona të zhvillimit. “Reforma e ashtuquajtur për ristrukturimin dhe modernizimin e administratës”, e kryer pas 3 korrikut 2005, pikërisht në vigjilje të firmosjes së MSA-së dhe që vazhdon dhe sot e s’ka të ndalur, nga njëra anë dëshmoi ironinë e radhës, por nga ana tjetër dëshmoi dhe një herë faktin që në Shqipëri sfidat e integrimit vazhdojnë të perceptohen thjesht dhe vetëm si detyrime apo si demagogji. Ngacmimin për këto rreshta e mora nga pjesëmarrja në një workshop të organizuar nga strukturat shtetërore në bashkëpunim me strukturat evropiane që asistojnë procesin e integrimit dhe me praninë e aktorëve politikë, domosdoshmërish me rol mjaft të rëndësishëm dhe përcaktues në përballjen reale të kësaj sfide.Tryeza pati në fokus procesin më themelor që do të na bashkëshoqërojë për një kohë të gjatë, atë të përafrimit të legjislacionit, gjendjen e Shqipërisë dhe analizën e boshllëkut që ekziston ndërmjet legjislacionit të BE-së dhe atij shqiptar, në kuadër të zbatimit të kriterit politik të para anëtarësimit.Elementi më i analizuar, më i theksuar, por edhe më i kontestuar nga ekspertët e BE-së ishte: n niveli i ulët i kapaciteteve administrative në ministritë e linjës; n problemet kronike në termat e rëndësisë reale që qeveria i jep këtij problemi në konceptimin dhe funksionimin e stafeve apo njësive të integrimit dhe trajtimit të tyre me burime financiare, si dhe; n disponibiliteti, aftësia absorbuese dhe vullneti i administratës së specializuar për të marrë rolin aktiv në përafrimin e legjislacionit. Problemet më të evidentuara si pasojë e kësaj situate janë së pari teknike, siç mund të rendisim nivelin e paspecializuar dhe jo profesional të përkthimit të direktivave apo acquis të Komunitetit, kur ndeshen plot raste ku përkthimi nuk është zyrtar apo i mangët, por mbi të gjitha faktin që ky proces nga ministritë e fushës nuk po kryhet në kuadër të një përkatësie selektive profesionale, pra nëse një direktivë e caktuar do të pasqyrohet tërësisht apo në mënyrë të pjesshme në ligjet shqiptare, në vartësi të kushteve dhe problematikës ekonomike e sociale që ofron Shqipëria. Nga ana tjetër, duke qenë se Shqipëria aderon në Konventa dhe Marrëveshje Ndërkombëtare, në to ka shumë klauzola, të cilat automatikisht janë të përmbushura si detyrime ndaj BE-së, kështu që dhe vlerësimi nga pikëpamja e një kontrolli të kryqëzuar merr rëndësi të veçantë për të qenë sa më eficent në procesin e përafrimit.Së dyti, problem mbetet karakteri procedural dhe strukturor, që ka të bëjë me kooperimin dhe koordinimin ndërinstitucional, ku sidomos në këtë proces roli i Ministrisë së Integrimit dhe në mënyrë të veçantë i Ministrisë së Drejtësisë duhet të jetë sa më kualitativ që të jetë e mundur. Nga ana tjetër, forma, substanca dhe shpejtësia e këtyre dy institucioneve është tepër e ndryshme në raport me Ministritë e linjës, ku gjithashtu dialogu strukturor permanent i njësive të tyre me Ministrinë e Integrimit mbetet larg kontributit real për rritjen e cilësisë së këtij kooperimi. Së fundi, procedurat e transparencës dhe eficences së administratës publike kanë mjaft nevojë për përmirësime përmes teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në vend të kërkesave apo shkresave zyrtare.Në këtë drejtim, Shqipëria vazhdon të humbasë kohë: Në Ministrinë e Integrimit mungojnë strukturat adekuate të vlerësimit të përkthimeve aq të domosdoshme për të mbushur këtë vakum (aktualisht vetëm 4 specialistë merren me këto çështje), ndonëse thuhet se do të bëhen operacionale, por jo më parë se qershori 2008. Konformiteti i direktivave të BE-së kryhet veçse formalisht nga Ministria e Drejtësisë, dhe nga ana tjetër cilësia e ulët e ekspertizës profesionale të njësive të integrimit, që në shumicën e rasteve është inekzistente, ndikon negativisht dhe automatikisht në cilësinë e vlerësimit, adoptimit dhe përafrimit të legjislacionit me parimet bazë dhe fushat përkatëse që mbulojnë direktivat e BE-së. Të gjitha këto çojnë në konkluzionin se Shqipëria është ende herët për të pretenduar zbatimin e legjislacionit të përafruar dhe cilësinë e strukturave që detyrojnë këtë zbatim.I rikthehem dhe një herë momentit të parë që reflektova nga ky takim, nivelit të ulët të kapaciteteve administrative! Edhe pse në këtë panel, ndryshe nga më parë, mora pjesë në cilësinë e njeriut politik, për një nga ish-negociatoret kryesore të të gjithë negociatave për politikat e hapjes ekonomike dhe liberalizimit e lehtësimit të tregtisë në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ishte paradoksale kjo vërejtje, e cila për Shqipërinë nuk rresht së përsërituri nga institucioni i BE-së! Ishte paradoksale dhe thellësisht ironike kur shikoje një sallë të mbushur plot me njerëz të rinj, kur një armatë e tërë specialistësh u trajnuan dhe i kushtuan shumë shtetit shqiptar (rreth 15 milionë euro) për t’u aftësuar si kompetentë të çështjeve të integrimit, por që u hodhën në rrugë si pasojë e “reformimit në emër të standardeve më të larta”! Ishte paradoksale kur strukturat e integrimit u ngritën me kohë dhe funksiononin, por që për arsye absurde u ringritën e u plotësuan me këta njerëz të rinj, a thua se Shqipëria ka kohë boll për të humbur! Ishte paradoksale kur përballë meje, ish-zyrtare e administratës, eksperti i huaj ishte i detyruar të rihapte dhe një herë një çështje të mbyllur të paktën nga pikëpamja e themelimit institucional, ndërkohë që sot mund të flitej veçse për përmirësime të sistemit! Së fundi, ishte paradoksale që eksperti u detyrua të trajtonte çështje elementare të ezauruara tashmë në fillim të procesit si “Ç’kuptojmë me Përafrim të Legjislacionit” etj., por kjo jo për faj të tij, ishte substanca e audiencës dhe niveli i strukturave që ia imponuan. Megjithatë në tërë këtë histori ka dy gjëra: Ose niveli i ekspertëve të huaj ishte i ulët e këtu duhet të ndalemi për të analizuar procesin kompleks të asistencës teknike, ose dhe unë besoj te kjo e dyta, gjendja e kapaciteteve tona është tepër e rëndë dhe duhet të ngrihet alarmi në emër të një integrimi e zhvillimi real e të vërtetë! Shoqëria shqiptare duhet të jetë e vetëdijshme për frenimin e këtyre lloj “reformash të pa përafruara me standardet evropiane”, që nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtojnë kostot në kohë e para në rrugën e gjatë të integrimit.