E Diel, 1 Nëntor 2026

Inteligjenca amerikane: Shqipëria, objektiv i sulmeve kibernetike nga Irani

Raporti për vitin 2026 i Inteligjencës Amerikane ngre sërish alarmin për kërcënimet në rritje në hapësirën kibernetike globale, duke theksuar se shtete si Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut, si dhe grupet e ransomware, do të vijojnë të përbëjnë rrezik kritik për infrastrukturat dhe rrjetet digjitale.

Në raport përmendet edhe Shqipëria si një nga vendet që ka qenë objektiv i sulmeve iraniane.

Dokumenti thekson se Teherani ka targetuar më parë vende me mbrojtje më të dobët kibernetike, duke përfshirë edhe Shqipërinë, çka e vendos Tiranën zyrtare në hartën e rreziqeve të vazhdueshme.

Raporti vlerëson se Irani ka treguar aftësi për të kryer sulme efektive ndaj objektivave të pambrojtur, ndërsa vazhdon të ruajë synimin për të goditur jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por edhe aleatët e tyre.

Edhe pse gjatë konfliktit të fundit 12-ditor në vitin 2025 Irani hasi vështirësi përballë sulmeve kibernetike izraelite, ai mbetet i angazhuar në zhvillimin e kapaciteteve të tij digjitale.

Një element shqetësues i theksuar në raport është edhe roli i grupeve të lidhura me Iranin, përfshirë “hacktivistët”, të cilët mund të kryejnë sulme kibernetike në mënyrë më të decentralizuar. Edhe pse këto grupe janë zakonisht më pak të avancuara teknikisht, ato rrisin volumet e sulmeve dhe krijojnë pasiguri të vazhdueshme.

Në një rast konkret të përmendur në raport, një grup hakerësh i lidhur me Iranin mori përgjegjësinë për një sulm ndaj një kompanie amerikane të teknologjisë mjekësore, duke pretenduar se kishte fshirë 200 mijë sisteme dhe kishte marrë 50 terabyte të dhëna. Ky rast ilustron shkallën e dëmit që mund të shkaktojnë operacionet kibernetike moderne.

Në nivel global, raporti identifikon Kinën si kërcënimin më të madh dhe më të vazhdueshëm në fushën kibernetike, ndërsa Rusia mbetet një aktor i avancuar me kapacitete të sofistikuara sulmuese dhe inteligjence.

Megjithatë, për vende si Shqipëria, kërcënimi iranian mbetet më i prekshëm dhe më i drejtpërdrejtë.

Raporti thekson se aktorët kibernetikë shtetërorë investojnë vazhdimisht në kërkim dhe zhvillim për të avancuar aftësitë e tyre, duke përfshirë edhe vendosjen paraprake të mjeteve brenda sistemeve kritike, të cilat mund të aktivizohen në raste krizash për sulme shkatërruese.

Për Shqipërinë, kjo analizë përforcon nevojën për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.

Përmendja e saj në raportin e Inteligjencës amerikane është një tregues i qartë se kërcënimet nuk janë teorike, por konkrete dhe të vazhdueshme.

Kujtojmë se, vetëm një ditë më parë, Kuvendi i Shqipërisë shpalli Iranin “shtet sponsor i terrorizmit”, ndërkohë i bëri thirrje Qeverisë të shpallë organizata terroriste Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe Hezbollahun.

Rezoluta u miratua me 79 vota pro, një abstenim dhe asnjë kundër, ndërkohë në seancë nuk ishin të pranishëm deputetët e Partisë Demokratike dhe disa deputetë të partive të tjera opozitare.

Sipas rezolutës, Republika e Shqipërisë ka qenë vetë objekt i veprimeve armiqësore në hapësirën kibernetike, përfshirë sulmin e rëndë kibernetik ndaj institucioneve shtetërore shqiptare në vitin 2022, “i atribuuar strukturave të lidhura me Republikën Islamike të Iranit, si dhe përpjekjet e ditëve të fundit për sulme kibernetike ndaj sistemeve të Kuvendit të Shqipërisë”.

“Kuvendi i Shqipërisë dënon me termat më të ashpër veprimet e Qeverisë së Republikës Islamike të Iranit që mbështesin, mundësojnë ose kryejnë akte terrorizmi, operacione hibride dhe aktivitete destabilizuese në rajone të ndryshme të botës“, thekson rezoluta duke shprehur solidaritet të plotë me vendet mike të Gjirit Arabik dhe me Turqinë.

Sipas rezolutës, “Kuvendi shpall Republikën Islamike të Iranit si shtet sponsor të terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste në ndjekje të objektivave të tij të politikës së jashtme, dënon aktivitetet e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe entiteteve të lidhura me të për rolin e tyre në mbështetjen e organizatave terroriste, forcave të armatosura përfaqësuese dhe operacioneve destabilizuese”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›