Interkonjeksioni, PD, Ramës: Je goditur rëndë
Kanë vazhduar edhe ditën e sotme replikat në distancë për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Tiranë- Prishtinë, mes kreut të Partisë Socialiste Edi Rama dhe Partisë Demokratike.
Partia Demokratike replikoi me kreun socialist nëpërmjet zëdhënëses Silvi Bardh, e cila u shpreh se; Insistimi dhe avokatia që i bën cdo ditë këtij problemi sëbashku me Zërin e Popullit dhe simotrat e saj, fakton se duket se je goditur rëndë personalisht nga vendimi i drejtë dhe ligjor i OST-së.
Në deklaratën e saj, PD sqaron Ramën se ligjet e vendit nuk lejojnë shpalljen fituese të një kompanie me ofertë mbi 10 milionë dollarë më të shtrenjtë se kompania tjetër.
Zoti Rama të gjithë shqiptarët e dinë mirë se këtu bëhet fjalë jo për ndërtimin apo mosndërtimin e linjës së interkonjeksionit por për shpalljen fituese të kompanisë që ka ofertën më të mirë duke iu kursyer qytetarëve shqiptarë së paku 1 miliardë e dyqind milionë lek nga borxhi i tyre për të cilin Ti bërtet cdo ditë.- thuhet më tej në deklaratë.
Duke e konsideruar patriozimin e Ramës, si patriotizëm xhepi, Bardhi theksoi se ai del e vajton çdo ditë, pasi duket se i ka prishur shumë plane.
Lideri i socialistëve, Edi Rama i ka bërë thirrje kreut të qeverisë, Sali Berisha të heqë postbllokun e korrupsionit nga rruga e realizimit të projektit të interkonjeksionit me Kosovën dhe të mos e damkosë me damkë turpi qeverinë e këtij vendi dhe Shqipërinë që ka interes strategjik për këtë projekt.