E Diel, 1 Nëntor 2026

Interpol Tirana operacion në Dubai: arrestohen 5 shqiptarë në kërkim ndërkombëtar nga SPAK

Interpol Tirana ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, duke çuar në arrestimin e pesë shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Sipas informacionit zyrtar, operacioni është realizuar pas shkëmbimit të të dhënave mes Interpol Tirana dhe autoriteteve në Abu Dhabi, ndërsa ndalimet janë kryer në Dubai, me qëllim ekstradimin e tyre drejt Shqipërisë.

Mes të ndaluarve janë:

  • Kristo Qirici, 44 vjeç
  • Shkelzen Kraja, 44 vjeç
  • Ilir Lazri, 30 vjeç
  • Aleks Pepaj, 38 vjeç

Katër prej tyre dyshohen për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, sipas hetimeve të referuara nga SPAK.

Ndërkohë, shtetasi Merxhan Çeliku, 34 vjeç, dyshohet për mashtrim kompjuterik.

Autoritetet po vijojnë verifikimet për një tjetër shtetas shqiptar të dyshuar se ndodhet në Dubai dhe që dyshohet se përdor dokumente të falsifikuara.

Interpol Tirana ka bërë me dije se po vijon bashkëpunimi me autoritetet ndërkombëtare për finalizimin e procedurave të ekstradimit të pesë të arrestuarve drejt Shqipërisë.

Operacioni “The Wanted” konsiderohet pjesë e goditjeve të koordinuara ndërkombëtare ndaj personave të kërkuar për krime të rënda, në kuadër të rrjeteve të bashkëpunimit policor global me qendër në Interpol.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›