Interpretimi i Kushtetutës dhe zgjedhja e Presidentit
Një nga përkufizimet që më pëlqen më shumë për një kushtetutë, është ai i profesorit të Universitetit të Kolumbias (ShBA) John Elster i cili, duke iu referuar Odisesë së Homerit, metaforikisht e ka cilësuar kushtetutën në demokraci si litarët që lidhën Uliksin, në mënyrë që, i tentuar nga zërat e sirenave, ai të mos hidhej në det e të përfundonte i shqyer prej tyre. Sepse shkruan Xhejms Madisoni tek Letrat e Federalistit, aspirata më e madhe e një kushtetute është pikërisht përballja e aspiratës më të madhe njerëzore, plotfuqishmërisë! Mund të ndodhë në jetën e një shoqërie që, dikur, dikush të synojë ti uzurpojë të gjitha pushtetet e shtetit, pikërisht këtë duhet të ndalojë një kushtetutë.
Tashti që besoj se krijuam një ide se për çfarë na duhet kryesisht kushtetuta në demokraci, po shpjegoj shkurt metodat e interpretimit me dëshirën e mirë që qytetarët e interesuar të kuptojnë më mirë se çfarë diskutojnë profesionistët. Janë shkruar me mijëra faqe për mënyrat se si mund të lexohet një tekst që është shkruar vite më parë (p.sh. Kushtetuta e ShBA feston këtë vit 225-vjetorin). Njerëzit e zakonshëm lexojnë veç atë që u sheh syri; ata nuk e njohin historinë e institucioneve kushtetuese, nuk kanë përgjegjësinë për të ardhmen e vendit dhe nuk janë të pajisur me një mekanizëm profesional arsyetimi, ndaj nuk arrijnë dot të identifikojnë mes shkronjave shpirtin e gjallë të një kushtetute. Sidoqoftë, edhe kjo është një metodë interpretimi, që quhet literal-gramatikore (ose tekstualiste). Është e vlefshme në lidhje me tekste të thjeshta, të drejtpërdrejta dhe pa nënkuptime. Problemi është se kushtetutat, duke qenë amalgama magjike rregullash, parimesh e vlerash, veç të thjeshta nuk janë. Natyrisht, gjithkush mund të ofrojë variantin e tij, por interpretimi përfundimtar i një kushtetute në të gjitha vendet moderne u është lënë gjykatave kushtetuese ose të larta (në vendet ku të parat mungojnë). Për fat të keq, kushtetutat nuk flasin për veten e tyre, ndaj siç thoshte Monteskie, gjyqtari është goja e ligjit; në rastin në analizë: goja e kushtetutës. Supozohet se gjyqtarët kushtetues janë përzgjedhur nga elitat politike si njerëz me kapacitete superiore. Ndryshe nga profesionistët e tjerë të së drejtës, ata kanë një shqisë të gjashtë, që u lejon ta trajtojnë tekstin veç si një pikënisje dhe jo pikë fundore. Juristi i zakonshëm e sheh ligjin bardhë e zi; gjyqtari i vërtetë kushtetues ka aftësinë ta shohë atë me të gjitha ngjyrat dhe nuancat; ai arrin të identifikojë aty të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen. Ai është një njeri me vetëdije të lartë për shoqërinë, njohës i problemeve dhe aspiratave të saj. Një gjyqtari kushtetues, të cilit i mungon kjo intuitë filozofike, praktikisht i mungon fjalori për leximin e një kushtetute. Nejse, kjo është tjetër çështje…
Përveç metodës gramatikore, është edhe ajo historike ose origjinaliste. Kjo është një përpjekje për të kërkuar dhe zbuluar kuptimin që hartuesit historikë të kushtetutës kishin ndër mend kur e hartuan atë. Sipas mbështetësve të kësaj metode, brezat duhet ti rrinë besnikë origjinalit të prindërve/gjyshërve etj.
Ndonëse debati teorik për metodat që duhen përdorur nuk duket ti jetë afruar fundit, praktika e gjykatave më të njohura të qytetërimit perëndimor tashmë e konsideron interpretimin gramatikor dhe atë historik jo të panevojshëm apo të tejkaluar, por si të dorës së dytë, ndërkohë që thotë Hans Kutschner, ish-president i Gjykatës Europiane të Drejtësisë, interpretimi sistematik dhe teleologjik janë të rëndësisë parësore. I pari kërkon një interpretim integral të dispozitave kushtetuese, në mënyrë që të ruhet harmonia e sistemit kushtetues nga fillimi në fund, kurse metoda e dytë, synon identifikimin e qëllimit të fundmë, atij madhor të kushtetutës. Interpretimi teleologjik (nga greqishtja e vjetër: telos d.m.th fund/qëllim/objektiv dhe logos d.m.th shkencë/studim) nxit një përpjekje për të zbuluar tek teksti ligjor kuptimin që është më i miri i mundshëm, më i dobishmi për shoqërinë. Në fjalët e lordit Diplock, ai kërkon ti japë efekt asaj që konceptohet të jetë shpirti më shumë sesa germa e një traktati; nganjëherë në të vërtetë, duke shkuar edhe përtej germave.
Interpretimi i një kushtetute dallon nga ai i një ligji. Ky i fundit është një rregull që përkufizon të drejta dhe detyrime aktuale, lehtësisht i hartueshëm dhe i shfuqizueshëm. Përkundrazi, një kushtetutë është një akt unik, i shkruar me vështrim nga e ardhmja. Në mënyrë që të jetojë gjatë, për të siguruar stabilitet të institucioneve që ushtrojnë pushtetin publik dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve, ajo duhet të jetë e aftë të rritet dhe zhvillohet me kohën, për të qenë në koherencë me realitetet shoqërore e politike të vendit. Gjyqtarët kushtetues, si gardianët dhe interpretuesit e saj të fundit, nuk duhet ta harrojnë asnjëherë këtë, thuhet në një nga vendimet më të famshme të Gjykatës së Lartë kanadeze (Hunter et al vs. Southam Inc).
Dhe le të vijmë tek interpretimi i dispozitave të Kushtetutës sonë, që parashikojnë zgjedhjen e Presidentit të Republikës, dispozita që kanë ardhur në qendër të vëmendjes së politikës dhe qytetarëve. Debati, i cili mund të kërkojë në të ardhmen edhe investimin e Gjykatës Kushtetuese, ka të bëjë me faktin se a mundet opozita ta bllokojë procesin e zgjedhjes së Presidentit, apo jo.
Sipas interpretimit gramatikor të nenit 87, pika 3: Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë, kur një kandidat merr jo më pak se 3/5 e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në tri votimet e para, duke u bazuar në shpërndarjen aktuale të vendeve në Kuvend, për tu arritur shumica e kërkuar nga Kushtetuta (më sa paku 84 vota), kërkohet me patjetër pjesëmarrja e opozitës. Në votimin e katërt (apo të pestë) maxhoranca mund ta zgjedhë e vetme kandidatin që preferon. Kaq, sipas tekstit.
Interpretimi historik/origjinalist i neneve të interesuara nuk na vjen në ndihmë. Neni në fjalë u ndryshua vetëm 4 vjet më parë dhe asnjë president nuk është zgjedhur me formulën aktuale, por hartuesit e tij janë të gjallë e mund ti pyesim se çkishin ndër mend kur shkruan fjalët përkatëse. Sidoqoftë, nga ato që kemi kuptuar deri më sot, duket se njëra palë i mëshon tekstit të thatë, ndërsa pala tjetër frymës/shpirtit të Kushtetutës.
Interpretimi sistematik bën të detyrueshëm leximin e procedurës së zgjedhjes së Presidentit të parashikuar nga neni 87 i Kushtetutës, nën dritën e nenit 78 të saj. Sipas këtij të fundit, Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar. Pra, zakonisht, Kuvendi vendos në lidhje me miratimin e ligjeve, rezolutave etj., me 50%+1 të votave të deputetëve, me kushtin që në sallë të jenë të pranishëm së paku 71 deputetë. Ky është rregulli, përveç rasteve kur vetë Kushtetuta, në nene të tjera të saj parashikon një shumicë tjetër, që ajo vetë e cilëson se sa. Sipas një interpretimi, ky është rasti tipik i zgjedhjes së Presidentit, ku vetë Kushtetuta nuk kërkon shumicën e thjeshtë prej 1/2, por e cilëson qartë: 3/5-at e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Sipas pikës 2 të nenit 78 Mbledhjet e deputetëve që mbahen pa u thirrur sipas Rregullores, nuk sjellin asnjë pasojë. Vini re: Kushtetuta thotë mbledhjet, jo votimet. Pra, nëse kur nis procedura e zgjedhjes së Presidentit nuk janë të mbledhur që në krye të herës minimalisht 84 deputetë (3/5 e 140), atëherë kuorumi i nevojshëm dhe i domosdoshëm për realizimin e këtij procesi nuk ekziston, rrjedhimisht procesi ndërpritet për tu rihapur kur në sallën e Kuvendit të nd
