E Enjte, 5 Nëntor 2026

Inva Mula, Genc Tukiçi dhe Olen Cesari, koncert në kalanë e Porto Palermos

TIRANË, 5 korrik/ATSH/ Tre artistë nga më të njohurit e skenës shqiptare e botërore, performuan mbrëmjen e së dielës në kalanë e Porto Palermos.

Inva Mula, Genc Tukiçi e Olen Cesari ishin artistët që sollën koncertin e titulluar “The paths of love” (Shtigjet e dashurisë), në kuadër të Porto Palermo Festival.

Nata e së dielës u përmbyll magjishëm në Kalanë e Ali Pashë Tepelenës me një performancë artistike të papërsëritshme. Tre artistët i falën publikut një përvojë emocionuese të mbushur me tinguj virtuozë që ngritën peshë të pranishmit. Përzgjedhja e disa prej veprave të njohura të muzikës klasike e të folklorit shqiptar e botëror, i ngjau një udhëtimi muzikor në kohë, duke përcjellë emocione të fuqishme për spektatorët.  Ashtu si vetë artistët u shprehën, “Muzika nuk ka pasaportë, është ndërkombëtare.” 

Publiku duartrokiti gjatë dhe këndoi bashkë me artistët e mëdhenj. “Ishte një mbrëmje e paharrueshme” – u shprehën disa nga të pranshmit, mes të cilëve edhe turistë të huaj ndërsa shumë kishin ardhur enkas për këtë natë.

Disa nga perlat e muzikës shqiptare dhe të huaj i dhanë jetë edhe mureve të kalasë së Porto Palermos, që për nga mënyra e ndërtimit është unike në llojin e saj në Shqipëri. Kalaja është një perlë e paçmuar e trashëgimisë shqiptare. Kalaja është ndërtuar mbi gadishullin e gjirit të vogël tektonik të Porto Palermos, në antikitet e njohur me emrin gjiri i Panormes. Kalaja është ndër më të vizituarat në Shqipëri, sidomos në stinën e verës.

Më herët pjesë e këtij edicioni të katërt të Porto Palermo Festival, u bënë artistët Marsela Çibukaj, Vitmar Basha, pop-artisti i mirënjohur Matthew Marston, i cili performoi nën shoqërinë e bass-istit shqiptar Ron Gjura, bateristit italian Stefano Corrias. Të gjithë artistët janë shoqëruar edhe prej ideatorit të këtij festivali, violinistit Olen Cesari një prej kompozitorëve eklektik dhe virtuoz të violinës.

Shumë prej artistëve, rikthehen për të disatën herë në PPF.

Edicioni i katërt i PPF nisi me një thirrje domethënëse të artit për mjedisin.

Olen Cesari bëri bashkë studentë dhe pedagogë, organiziata, grupe vullnetare, biznese por edhe pushuesit e plazhit të Porto Palermos që iu përgjigjën mesazhit “Preseving Our Sea 2” me shumë përkushtim, për të na kujtuar se plazhet, objektet e trashëgimisë historike e kulturore duhet t’i mbrojmë me përgjegjësi qytetare.

1 nga 15

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›