Invazioni i artistëve në Prishtinë

Për tre orë me rradhë Prishtina do të pushtohet nga artistët, në kuadër të manifestimit “E premtja e fundit”
Bëhet fjalë për një ekspozitë multidiciplinare e inicuar nga Departamenti i Dizajnit Grafik, Fakulteti i Arteve, Universiteti i Prishtinës, që zhvillohet sonte, duke filluar nga ora 19:00.
Në këtë shfaqje të Artit Publik do të marrin pjesë mbi 50 artistë dhe studentë në të gjitha fushat artistike.
Mes tyre edhe Fjolla Krasniqi, e cila do të prezentohet me projektin e titulluar ‘’Përtej”, që i takon fushës së animacionit.
“Projekti im “Përtej” përfshinë 4 filma të shkurtër të animuar, që janë realizuar viteve të fundit nga Studio Nekra, pjesë e së cilës jam edhe unë. Secili prej tyre ka një teme me vete, percjellë me muzikë që i jep filmit emocion dhe dinamikë. Vizatimet janë origjinale dhe të realizuara në mënyre klasike në tavolinë ndriçimi /12 vizatime në sekond, sipas animacionit bashkëkohor, për dallim nga mënyra e realizimit të animacioneve të njohura të Walt Disney ku për 1 sekond realizoheshin 24 vizatime. Ky projekt poashtu ka përmbledhur të gjitha detyrat që i kemi pasur në fakultet gjatë 4 viteve, e komponuar në një video 3 minuta, “ ka bërë të ditur Krasniqi për Indeksonline, duke shtuar se në kuadër të kësaj do të jetë dhe një instalacion që ajo e lë si befasi.
“Le të jetë ky projekt një nismë e mirë për shtytje të mëtejme në sensibilizimin e animimit për autorët e rinjë”, përfundon Krasniqi.
‘’E premtja e fundit” do të sjellë 3 orë performanca të mediave të reja, muzikës klasike, rok dhe elektronike, duke prej orës 19:00 deri në 22:00.
Në këtë eskpozitë të gjitha punimet dhe instalacionet do të performohen ‘’live’’ dhe do të jenë të vendosura nëpër pop-up galeri (në rrugë, nëpër lokacione të ndryshme rreth sheshit “Nënë Tereza” dhe Universitetit të Prishtinës).
Manifestimi do të organizohet katër herë në vit, në katër stinët e vitit, në të premten e fundit të muajit. /Rozafa Kelmendi/Indeksonline/