Investimet në ujitje e kullim vijojnë, përfundojnë punimet në kanalin K-1 në Kurbin

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vijon investimet në sistemin e ujitjes dhe kullimit në të gjithë vendin, si për ndërtimin e veprave të reja, ashtu edhe për rehabilitimin dhe pastrimin e atyre ekzistuese.
Këto ndërhyrje synojnë garantimin e funksionimit të qëndrueshëm të sistemeve, duke iu përgjigjur nevojave për vaditje në bujqësi gjatë sezonit të thatë, por edhe për kullimin e tokave në periudhat me reshje intensive.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla bëri të ditur se aktualisht ekipet e Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit janë në terren dhe kanë përfunduar punimet në kanalin kullues K-1 në bashkinë e Kurbinit.
Salla ndau në rrjete sociale momente nga puna që po kryhet aktualisht në këtë vepër ujitëse, teksa bëri të ditur se, “me gjatësi 7,8 km, zhvendosja e rreth 25 mijë m³ dherave përmirëson kullimin e mbi 1500 ha tokë bujqësore dhe zonave të banuara”.
“Këto investime janë thelbësore për rritjen e produktivitetit në bujqësi dhe mbrojtjen e tokave nga përmbytjet, duke garantuar kushte më të mira për fermerët në të gjithë vendin”, tha Salla.
/e.xh/r.e/a.f/