E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iran, emërohet President i ri

Hassan Rouhani është vendosur të zëvendësojë zyrtarisht Mahmud Ahmadinexhadin si president i Iranit. Emërimi i Rouhanit në postin e Presidentit do të miratohet nga lideri i lartë i vendit Ayatollah Ali Khamenei në një ceremoni në kryeqytetin, Teheran. Kleriku, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale në qershor ka premtuar reforma dhe për t’i dhënë fund izolimit ndërkombëtar të Iranit.

Ndërsa zyrtarisht mandati i tij fillon të shtunën, ceremonia do të zhvillohet të dielën. 64-vjeçari është një ish negociatori bërthamor për Iranin dhe ish aktivist i revolucionit islamik në vend para vitit 1979.

Analistët ndërkombëtare dhe njohës të Lindjes së Mesme thonë se zgjedhja e tij rrit shpresat për uljen e tensioneve në rajon dhe në moderimin e gjuhës ndaj Izraelit, shtet që Irani nuk e njeh. Por në një deklaratë për mediat nga Teherani, në “Ditën e Jeruzalemit”, përkujtimore që organizohet çdo vit në vendet muslimane në rajon, presidenti Rohani e quajti Izraelin “një plagë për botën islamike”.

“Në rajonin tonë prej kohësh ka një plagë për botën islamike, pushtimi i tokës së shenjtë të Palestinës dhe Jeruzalemit. Kjo ditë është ditë kujtese që muslimanët të mos harrojnë kurrë historinë dhe t’i rezistojnë shtypjes dhe pushtimit”, tha Rohani të premten .
Pas deklaratës së Presidentit të ri ka pasur dhe reagime të menjëhershme nga Tel Avivi. Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se deklarata e Rohanit i heq atij maskën e të moderuarit.

Rohani pasoi në detyrën e Presidentit të Republikës Islamike Mahmud Ahmadinexhad që mbajti këtë post për 2 mandate.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›