Irani: Do godasim çdo anije që përpiqet të afrohet në Ngushticën e Hormuzit

Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) ka kërcënuar se do të godasë çdo anije që afrohet në Ngushticën e Hormuzit.
Marina e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit ka lëshuar një paralajmërim të ashpër: çdo anije, pa përjashtim, që përpiqet të largohet nga ankorimi në Gjirin Persik ose Detin e Omanit dhe të afrohet në Ngushticën e Hormuzit, do të konsiderohet si bashkëpunim me armikun dhe do të goditet drejtpërdrejt.
“Ne paralajmërojmë se asnjë anije, e çfarëdo lloji qoftë, nuk duhet të largohet nga ankorimi në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit. Çdo përpjekje për t’u afruar në Ngushticën e Hormuzit do të konsiderohet bashkëpunim me armikun dhe anija fajtore do të synohet”, thuhet në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të IRGC-së, Sepah News.
Ky kërcënim vjen në mes të tensioneve të larta në rajon, pas përplasjeve të fundit me SHBA-në, tentativave për armëpushim dhe lëvizjeve të anijeve ushtarake amerikane në zonë.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më strategjike të transportit të naftës në botë – rreth 20% e naftës globale kalon përmes saj.
/rtsh.al/