Irani: Izraeli është përgjegjës për sulmin në tubacionet e gazit

Irani ka bërë përgjegjës Izraelin për sulmin në tubacionet e gazit, javën e kaluar.
“Izraeli ishte pas sulmit të javës së kaluar në tubacionet iraniane të gazit”, akuzoi këtë të mërkurë (21 shkurt) ministri iranian i naftës, Javan Ouji.
“Armiku kërkoi të ndërpresë furnizimin me gaz për familjet… por kolegët tanë punuan për të kundërshtuar komplotin izraelit që dëmtoi vetëm disa tubacione,” shtoi Ouji.
Dy shpërthime goditën rrjetin kryesor të gazsjellësit të Iranit përmes të cilit transportohet gaz nga jugu në veri më 14 shkurt, të cilin Ouji fillimisht e përshkroi si një “akt terrorist sabotimi”.
Në dhjetor, një grup hakerësh, të cilët Irani i akuzon për lidhje me Izraelin, tha se kreu një sulm kibernetik që shkaktoi mbylljen e deri në 70% të stacioneve të benzinës në Iran.
/rtsh.al/