E Diel, 1 Nëntor 2026

Irani kërkon armëpushim dhe heqje sanksionesh për të zhbllokuar Hormuzin, Araghchi: Nëse Irani nuk është i sigurt, as rajoni nuk do të jetë i sigurt

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se Teherani pret gjatë së martës një përgjigje zyrtare nga Shtetet e Bashkuara lidhur me propozimin iranian për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë.

Sipas mediave shtetërore iraniane, Araghchi tha se ndërmjetësit e Katarit kanë paraqitur ide gjatë kontakteve të fundit diplomatike dhe janë angazhuar t’ia përcjellin ato edhe një herë palës amerikane.

“Katari paraqiti ide dhe ne i diskutuam ato. Ata janë të gatshëm ta ngrenë çështjen edhe një herë me palën amerikane, pas së cilës përgjigjja përfundimtare e SHBA-së do të na përcillet”, u shpreh kreu i diplomacisë iraniane.

Araghchi, i cili ndodhet në Nju Jork në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, tha se ndërmjetësuesit nga Katari shpresojnë që procesi të përfundojë brenda së martës.

Sipas tij, fokusi i negociatave është aktualisht vetëm te Ngushtica e Hormuzit dhe rihapja e saj varet nga përmbushja e disa kushteve që Irani ia ka komunikuar Shteteve të Bashkuara.

Ngushtica e Hormuzit është kthyer në një nga pikat më të nxehta të përplasjes mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Ajo transportonte rreth një të pestën e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë përpara përshkallëzimit të konfliktit, i cili nisi pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit në fund të muajit shkurt.

Pas shpërthimit të konfliktit, Irani vendosi bllokadë në ngushticë, ndërsa Shtetet e Bashkuara reaguan me masa kundër porteve iraniane, duke thelluar krizën në rajon.

Javën e kaluar në Nju Jork u zhvilluan gjithashtu bisedime mes Araghchit dhe të dërguarve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje diplomatike.

Si parakusht për heqjen e bllokadës në Ngushticën e Hormuzit, Teherani po kërkon një armëpushim shtatëditor në të gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë Libanin, ku aleati i tij Hezbollah vazhdon përplasjet me forcat izraelite.

Po ashtu, autoritetet iraniane kërkojnë zhbllokimin e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit, heqjen e sanksioneve mbi sektorin e naftës dhe përfundimin e bllokadës detare të vendosur nga SHBA.

Ndërkohë, kryenegociatori iranian Mohammad Bagher Ghalibaf paralajmëroi se nëse siguria e Iranit nuk garantohet, asnjë infrastrukturë në rajon nuk do të jetë e sigurt nga sulmet, duke sinjalizuar se tensionet mbeten të larta pavarësisht përpjekjeve diplomatike në vijim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›