E Diel, 1 Nëntor 2026

Irani sulmon me dronë portet e naftës dhe aeroportet e Emirateve të Bashkuara Arabe

Emiratet e Bashkuara Arabe janë bërë sërish shënjestër e një vale sulmesh me dronë dhe raketa nga Irani, duke goditur pikat kyçe të infrastrukturës energjetike dhe transportit ndërkombëtar.

Gjatë ditës së hënë, autoritetet u detyruan të pezullonin përkohësisht fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait, pasi një “incident me dron” shkaktoi zjarr në afërsi të pistave. Ky është incidenti i tretë i këtij lloji në aeroportin më të ngarkuar në botë për pasagjerët ndërkombëtarë që nga fillimi i luftës.

Paralelisht me sulmin në Dubai, një tjetër goditje me dron shkaktoi zjarre masive në portin e Fujairah, një nga depozitat më të mëdha të naftës në rajon dhe zonë industriale me rëndësi strategjike. Sulmet kanë prekur drejtpërdrejt sektorin e energjisë: Ditën e shtunë, një dron goditi një anije cisternë (tanker) për ruajtjen e naftës. Të hënën, një tjetër dron goditi impiantet e përpunimit, duke detyruar pezullimin e ngarkim-shkarkimit të naftës deri në vlerësimin e dëmeve.

Zyra Mediatike e Abu Dhabit raportoi se një shtetas palestinez ka mbetur i vrarë në periferi të kryeqytetit, në zonën Al Bahia, si pasojë e një sulmi me raketë mbi një automjet.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore arritën të asgjësonin 6 raketa balistike dhe 21 dronë vetëm gjatë ditës së hënë. Sipas të dhënave zyrtare, Irani ka lëshuar mbi 1 mijë e 900 raketa dhe dronë drejt Emirateve që prej shpërthimit të luftës mes SHBA-ve dhe Izraelit nga njëra anë, dhe Iranit nga ana tjetër.

Kjo valë sulmesh vjen si një goditje e fortë për imazhin e Emirateve si një oaz sigurie dhe stabiliteti në Lindjen e Mesme. Vonesat dhe anulimet e shumta të fluturimeve kanë shkaktuar kaos në trafikun ajror global, ndërkohë që pasiguria në rrugët detare të naftës po monitorohet me shqetësim nga tregjet ndërkombëtare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›