Ish- shoqëruesi i Fatos Nanos kërcënoi se do vriste të gjithë familjen. Kunata: Gruan e mbante të mbyllur
Edmir Jazxhi, 51 vjeçari që qëlloi me një plumb në ballë të shoqen, duke e lënë të vdekur në vend, punonte më parë në Gardë. Shekulli shkruan se ai ka qenë shoqërues i Fatos Nanos.
Jazxhi vrau dhe veten pas të shoqes.
Aktualisht ai punonte si shofer kamioni.
Gjendja e tyre ekonomike ishte e vështirë, ndërsa mediat spekulojnë për pamundësinë e pagesës së bursës për vajzën e tyre, që të studionte jashtë vendit.
Ajo që dihet me siguri është se Edmiri e dhunonte të shoqen rregullisht.
Bashkëshortja e tij, Dallëndyshja, kishte kërkuar mbrojtje, por ishte tërhequr nga kërkesa e saj nga frika e të shoqit.
Pas krimit, vajza e familjes Jazxhi ka rrëfyer për policinë se babai i kishte kërcënuar edhe më parë.
Babi na kishte thënë se do na vriste të gjithëve. Na kishte kërcënuar se do të zhdukte familjen tonë dhe e bëri atë që deshi, kështu ka deklaruar në polici, vajza e viktimave.
Kurse kunata e Dallëndyshes, Myrset Fejzo, thotë se Edmiri e mbante mbyllur të shoqen, sepse bëhej xheloz për të.
Është e tmerrshme ajo që ka ndodhur. Ne e mësuam lajmin nga disa të afërm dhe mbetëm të shtangur, mua ende nuk më besohet ajo që ka ndodhur. Për hir të së vërtetës, ata gjithmonë kanë pasur probleme dhe grindje të vazhdueshme. Di të them që Edmiri bëhej xheloz, konsumonte shumë alkool, ndërkohë që kishin edhe probleme ekonomike. Gjithë jetën e kishte mbajtur Dallëndyshen në shtëpi, sepse bëhej xheloz, i dukej sikur po të shkonte ajo në punë, kushedi çfarë do të ndodhte. Nuk i bëhej vonë se kishin nevojë për para. Hera e fundit që unë kam biseduar me Dallëndyshen ishte para një muaji, kur ajo ishte gati të ndahej nga Edmiri, tha Myrset Fejzo për Panoramën./ep