Ish-Presidenti, Topi: Mburrja me 83 votat është gabim

Ish-Presidenti Bamir Topi e konsideron situatën aktuale politike si sprovën më të vështirë për mazhorancën socialiste. I ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH, Topi analizoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Zëvendëskryeministres, duke e cilësuar atë si një moment të vështirë edhe për fatin e vetë Kryeministrit, Edi Rama.
Sipas ish-kreut të shtetit, kreu i qeverisë ndodhet përballë një dileme me dy zgjidhje jo të lehta, ku secila sjell kosto të larta politike.
Topi theksoi se dorëzimi ose mbrojtja e “Numrit 2” të qeverisë do të ketë pasoja zinxhir.
“Shumica është para sprovës më të vështirë. Po ta mbajë në Kuvend numrin 2 të qeverisë, precipiton në mënyrë definitive politikisht. Por, po ta lëshojë, ikën një digë dhe del i ekspozuar kryeministri,” tha Topi. Ai shtoi se duke njohur dinamikat e sallës së Parlamentit, skenarët janë të shumtë, por qëllimi final duhet të jetë rikthimi te demokracia funksionale.
Ish-Presidenti u ndal edhe te retorika e fundit e Kryeministrit Rama lidhur me zotërimin e 83 mandateve në Kuvend. Topi e cilësoi këtë si një qasje të gabuar, duke theksuar se numrat duhet të shërbejnë për qeverisje, jo për demonstrim force ndaj drejtësisë.
“Na kujton se ka marrë 83 mandate. Po të isha në atë pozicion nuk do e thosha kurrë këtë. Ato vota i ka marrë për mirëqeverisje dhe për të qenë i ekuilibruar… Kur flitet për heqje imuniteti, shumica i ka votat që ta mbrojë personin, por nuk demonstrohet forca nëpërmjet mandateve,” u shpreh ai.
Strategjia e SPAK dhe opozita
Lidhur me veprimet e prokurorisë, Topi vlerësoi se SPAK ka ndjekur një strategji të zgjuar dhe proporcionale, duke e përshkallëzuar situatën nga pezullimi drejt kërkesës për arrestim.
Nga ana tjetër, ish-Presidenti nuk kurseu kritikat as për kampin opozitar. Sipas tij, ndonëse mazhoranca është në vështirësi të mëdha, vendi ka “një opozitë të paaftë politikisht për të përfituar” nga kjo krizë e qeverisjes.
/rtsh.al/